priftiok

Dritan Prifti ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për çështjen “Doshi”. Ai ka thënë para prokurorëve se ka patur një plan të mirëorganizuar nga Ilir Meta për të vrarë deputetin Tom Doshi. Sipas Priftit, Meta e ka organizuar vrasjen e Doshit si hakmarrje për publikimin e videos së korrupsionit në janar të vitit 2011. Tom Doshi ka deklaruar publikisht se ai ishte njeriu që i kishte dhënë garanci Dritan Priftit për ta publikuar videon dhe e kishte lidhur atë me Edi Ramën. Prifti tha se ka të dhëna për takimet e Doshit me Durim Bamin dhe Mark Frrokun dhe u shpreh se ai nuk tërhiqet si Mark Frroku, pasi ai nuk ka hallet e Frrokut, duke nënkuptuar çështjen që ka të hapur me drejtësinë vëllai i deputetit të mazhorancës, Arben Frroku, që akuzohet për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Prifti u shpreh se ka dijeni për takimet e Doshit me Frrokun dhe Durim Bamin. Deklaratat e Ilir Metës se Prifti ka një video me Shkëlzen Berishën, ai i quajti manovra të Kryetarit të Kuvendit për të tërhqur vëmendjen “nga një e vërtetë e frikshme si kjo e porosisë së vrasjes”, taktikë të cilën ai tha se “e kuptojnë edhe pulat” e tij në pularinë që ka në Koplik, e jo më shqiptarët.
Pas dëshmisë në prokurori, Prifti bëri këtë deklaratë për mediat:
“Më ka përmendur zoti Meta në këtë çështje. Politikanët jo vetëm po vjedhin dhe janë përfshirë në korrupsion, por përpiqen të vrasin edhe deputetë. Është përpjekur shumë Ilir Meta të përmendë aktivitetet e mia në biznesin privat… jo pularia e krimit, jo vezët e krimit. Janë manovra për të drejtuar vëmendjen e medias dhe opinionit në çështje të tjera dhe jo tek një e vërtetë e frikshme se ky person ka porositur vrasjen e dy deputetëve. Nëse Meta kërkon të më implikojë, unë kam 2 vjet që jam larg politikës aktive, por po vjen koha që të rikthem sërish në politikë, pasi në këtë vend po ndodhi gjera të çuditshme. Ka patur një kmoplot dhe skenar të mirëmenduar për të vrarë deputetin Tom Doshi dhe unë kam bindjen se ky grup prokurorësh është ëserioz dhe kam bindjen se kjo tentativë për vrasje do të zbardhet. Unë po ju them që unë nuk jam Mark Frroku. Kam deklaruar plotësisht të vërtetën. Nuk më tremb asnjë lloj presioni apo denoncimit. Nëse Mark Frroku ka halle të tjera dhe për shkak të tyre dëshiron të mos e tregojë të vërtetën… kam deklaruar për të gjitha takimet që ka bërë Marku, Durim Bami dhe shumë gjera të tjera. Dhe me informacionet që kam unë, jam i bindur se çështja do të zbardhet. Arsyen ju e dini të gjithë: një urrejtje që ka patur Ilir Meta ndaj meje dhe Tom Doshit për videon e korrupsionit. Nuk kam asnjë video për Shkëlzen Berishën. Janë taktika që po përdor Meta për të përfituar një pjesë të elektoratit të majtë. Janë taktika që edhe pulat e mia në Koplik i kuptojnë dhe jo më shqiptarët.”