Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, ka folur për ERTV pas protestës së tregtarëve, të cilët kundërshtojnë përfshirjen në skemën e TVSH-së. Ajo tha se skema e TVSH as nuk do të rëndojë barrën e të vegjëlve dhe as nuk do të ndikojë mbi çmimet. “Falë kësaj reforme, do të marrë fund cirku i shumë të mëdhenjve që janë shfaqur si të vegjël, duke gënjyer njëkohësisht konsumatorin dhe shtetin, si edhe loja e shumë të mëdhenjve që kanë përdorur të vegjlit për të shmangur detyrimet tatimore, duke dëmtuar konkurrencën në treg”, tha Vjero.

Sipas drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, nuk ka asnjë taksë të re. “Nuk ka asnjë detyrim të shtuar. Ata vetëm do të deklarojnë në skemën e TVSH”.

Më tej, Vasilika Vjero, teksa iu referua protestës së ditës së sotme, theksoi se ata tatimpagues që zhvillojnë aktivitetin brenda tregjeve të bashkive, janë jashtë skemës së TVSH.

“Ne kemi ndjekur me vëmendje protestën e sotme të biznesit të vogël. Ata tatimpagues që zhvillojnë aktivitetin brenda tregjeve të bashkive, janë jashtë skemës së TVSH. Këtë duhet të ripërsërisim. Nuk duhet të ketë shqetësim te këta tatimpagues. Ata që do të përfshihen në këtë skemë janë njoftuar më herët”, tha drejtoresha e TVSH