sdjkbsdjkgbdj
25 faqe përmban dosja ankimore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kundër Arben Frrokut, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Kjo dosje u dërgua dje në Gjykatën e Apelit dhe pritet shqyrtimi i saj nga trupa gjyqësore. Po çfarë përmban kjo dosje? Organi i akuzës kundërshton të gjitha argumentet e Gjykatës së Shkallës së Parë, që çoi në lirimin e të akuzuarit Arben Frroku.

“Vendimi i gjykatës është haptazi i njëanshëm, duke pranuar pretendimet e pambështetura të avokatëve mrojtës të të pandehurit Arben Frroku dhe duke rrëzuar faktet e argumentuara të Prokurorisë”,- thuhet ndër të tjera në dosjen ankimore.

Sipas prokurorëve të cështjes, gjykata është bazuar vetëm në deklarimet e dëshmimtarëve të paraqitur nga avokatët e Arben Frrokut. Prokuroria përmend në dosjen ankimore edhe eksperimentin hetimor me një makinë nga Tirana për në Kapshticë, ku u verifikua mundësia e largimit të Frrokut për në Greqi, pas vrasjes së kryekomisarit. Prokurorët kundërshtojnë gjithashtu edhe mënyrën e analizimit nga gjykata të pamjeve filmike të marra nga kamerat e bizneseve pranë vendit të vrasjes.

Ata këmbëngulin se dëshmimtari i mbrojtur, Arben Ndoka, ka qenë në vendin e ngjarjes dhe e ka parë makinën e autorëve të krimit. Lirimi nga burgu i Arben Frrokut, shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik si dhe në radhët e politikës. Nëse edhe shkallët e tjera të gjyqësorit, do lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, Arben Frroku do të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, gjithnjë nëse i vëllai i tij, Mark Frroku, që është aktualisht në burg, do ta humbasë mandatin e marrë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Arben Frroku është i dyti në listën e Partisë Kristian Demokrate, parti e cila do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Dy ditë më parë, kryetari i saj Mark Frroku, bëri regjistrimin në KQZ të këtij subjekti.