168

Deklaratat publike të disa deputetëve se kanë dhënë qindra miliona lekë për aktivitete politike – para që nuk janë pasqyruar në raportet periodike të partive politike në KQZ – nuk janë hetuar kurrë nga agjencitë ligjzbatuese, të cilat sipas ekspertëve i shmangen qëllimisht këtyre rasteve.

Deputetë të zhgënjyer dhe nënvlerësuar nga partitë politike që kanë aderuar, janë kthyer gjatë mandatit 4 vjeçar të qeverisë se kryeministrit Edi Rama në bilbilfryrës të rregullt, duke bërë akuza për financime të paligjshme të partive politike.

Por ndryshe nga sa kanë deklaruar në publik, se kanë shpenzuar shuma të mëdha financiare për llogari të qëllimeve të partisë politike ku ata aderonin, në asnjë rast nuk ka rezultuar se këta deputetë të jenë listuar si donatorë të partive politike respektive në raportet e dorëzuara në KQZ.

Kjo situatë bëhet edhe më e rëndë pasi këto shpenzime të pretenduara publikisht nga deputetët, nuk janë deklaruar as në deklaratat periodike të pasurisë të dorëzuar pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI).

Prokuroria dhe ILDKPKI, dy institucione që e kanë të detyrë organike verifikimin dhe hetimin e pasurisë të zyrtarëve, kanë zgjedhur t’i kalojnë në heshtje rastet kur deputetët si Vladimir Kosta, Tom Doshi, Eduart Ndocaj, kanë deklaruar se kanë shpenzuar shuma të mëdha financiare gjatë fushatave dhe mitingjeve të Partisë Socialiste.

Sipas ekspertëve mbi financimin e partive politike, subjektet politike shqiptare janë bërë të varura gjatë viteve të fundit nga burimet e pista të parave për të mbështetur aktivitetin e tyre, ndërkohë që ato nënvizojnë se prokuroria i është shmangur hetimit të këtyre rasteve për shak të ngarkesës politike që ato mbartin.

Neni 89/2 dhe 3/b i Kodit Zgjedhor i kufizon partitë politike që të përfitojnë fonde nga persona fizikë në më shumë se 1 milion lekë të vjetra dhe nga persona që ushtrojnë veprimtari në fushën e medias. Gjithashtu ligji ‘Për partitë politike,’ i kërkon këtyre të fundit t’i raportojnë në KQZ burimin e financimit të tyre nëpërmjet raporteve financiare vjetore.

Por siç ndodh rëndomë në Shqipëri, partitë politike nuk i respektojnë ligjet që ato i votojnë në parlament.

Për shembull në Tetor 2015-të, Eduart Ndocaj deklaroi sapo morri mandatin e deputetit të PS-së se ka shpenzuar 500 mijë euro për fushatën e Partisë Socialiste në Lezhë në vitin 2013-të, dhe askush qoftë nga prokuroria dhe ILDKPKI nuk është shtyrë të nisë një hetim lidhur me këtë deklaratë.