policia-e1420363100256
Mbrëmjen e 12 dhjetorit të kaluar, dy efektivët e policisë takuan një tregtar pranë Stacionit të Trenit. Arben P kishte njoftuar me telefon tek numri 129, për gjetjen e një portofoli. Qytetari i dorëzoi policëve portofolin, ku ishte një kartë identiteti dhe 10 mijë lekë, raporton e përditshmja Panorama. Dy policët në fillim i thanë eprorëve se telefonata ishte e rreme, më pas u kthyen në komisariat dhe thanë se në portofol ishte vetëm karta e identitetit.
Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin ndaj tyre duke i shpallur fajtorë. Efektivi i policisë, Agim Vraja u dënua me 9 muaj burg për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Kolegu i tij i patrullës, Lorenc Mataj, u dënua me 6 muaj burg për “shpërdorim të detyrës”.

VJEDHJA
Sipas Gjykatës, në librin e shërbimeve në Komisariatin nr.3 për situatën e raportuar nga qytetari Arben P. ishte hedhur shënimi “ora 10:05 minuta nuk ka probleme, telefonata ishte e rreme”. Disa orë në vonë dy policët i kanë thënë eprorit të tyre F.A. në komisariat për portofolin e dorëzuar nga një qytetar. Me urdhër të eprorit të tyre portofoli është hapur në praninë e disa personave dhe ka rezultuar se në të kishte vetëm një kartë identiteti.
Të nesërmen, personi që kishte humbur portofolin mësoi nga Arben P., për dorëzimin e tij në polici.
Pasi këmbënguljes së qytetarit se kishte pasur lekë në portofol, ai është ftuar për kafe nga një prej policëve, Agim Vraja, i cili i ka dhënë dy kartëmonedha të prerjes 5 mijë-lekëshe, duke pranuar vjedhjen.