grabitja-e-unionit-800x448
Personat e maskuar që grabitën 2.5 milionë euro në një bankë të nivelit të dytë te Stacioni i Trenit, në Tiranë mbeten të panjohur. Pas 10 muajsh hetime, prokuroria pezulloi çështjen.

Në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gjurmë e tre personave të armatosur, që rrëmbyen katër thasë me para.

Identifikimi i autorëve ka qenë i pamundur, edhe nga filmimet e kamerave.

Edhe në makinën e policisë private që rrëmbyen autorët, nuk u gjet asnjë gjurmë. Makina në fjalë u gjet e braktisur rreth një orë pas ngjarjes së ndodhur më 13 shkurt 2015, në zonën e Bathores. Por prokuroria dërgoi për hetim tetë efektivët e policisë private, të cilëve iu është njoftuar akuza “shpërdorim detyre”. Nën akuzë janë vendosur shefi i sigurisë së bankës, Qirjako Taçe, dhe shoqëruesi i vlerave monetare të bankës, Robert Felaj.

Po kështu, sipas Prokurorisë, të pandehur janë marrë edhe 6 efektivët e eskortës së kompanisë private, të pandehurit Isuf Gjici, Artan Dervishi, Dritan Duka, Saimir Nikoci, Ilir Syla dhe Tomorr Hidri.

Ata akuzohen se nuk kanë marrë masat ekstreme të sigurisë, duke neglizhuar kontrollin e zonës përreth bankës, hyrjet e pallatit, si dhe garazhin ku ishin fshehur grabitësit.