Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pritet t’i propozojë grupit parlamentar dhe forumeve më të larta të kësaj force politike, djegien e mandateve të deputeteve. Në një deklaratë për mediat, një ditë pas protestës, Basha u shpreh se ky vendim vjen si një mesazh i qartë nga protesta e 16 shkurtit.

“Mesazhi juaj është i qartë: Kështu nuk vazhdohet më! Kupa është mbushur dhe është derdhur. Thika ka shkuar në palcë dhe koha e fjalëve ka mbaruar.

Ne nuk do të vazhdojnë të jemi më fasadë e një Parlamenti të dalë nga zgjedhje që i ka diktuar krimi i organizuar. Mbështetja juaj, e dëshmuar dje, mori përmasat e një referendumi për zgjidhjen politike, të ofruar nga opozita. Ndaj, unë jam sot këtu për t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj. Ndaj, kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta vendimmarrëse të PD djegien e mandateve parlamentare, në mbështetje të qëllimit dhe aspiratës që ju dje dëshmuat se është mbarëkombëtare, europiane dhe e pandalshme”.

Kreu i opozitës, duke vlerësuar si protestën më të madhe në kohën e pluralizmit, u shpreh se qytetarët tashmë kërkojnë zgjidhje dhe ndryshim.

“Protesta më e madhe, që pas pluralizmit dhe, pra, më e madhja ndonjëherë, i tregoi mbarë botës dje se ne, shqiptarët, jemi popull europian, jo thjesht në gjeografi, por në vlera dhe besim tek demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne Europë, pra, ku qeveria kapet duke vjedhur, nuk rrihet populli, nuk helmohet populli, por ikën qeveria, ndëshkohen hajdutët! Edi Rama nuk pranoi ta dëgjojë këtë mesazh, mesazhin e sovranit të bashkuar si asnjëherë më parë në protestën e djeshme. Qytetarët kërkojnë zgjidhje, kërkojnë rrugëdalje, kërkojnë ndryshim”.