auto_Te-braktisur-ne-maternitet1485592078

Një defekt në rrjetin elektrik të maternitetit të Durrësit ka nxjerrë të gjitha pajisjet jashtë funksionit, duke bërë që drejtoria të marrë masa të menjëhërshme për të transportuar drejt maternitetit të Tiranës, disa foshnja të sapolindura dhe nënat e tyre.

Drejtori i Spitalit Rajonal të Durrësit Alban Ramohitaj dhe shefi i maternitetit Arjan Prodani në një konferencë për shtyp kanë sqaruar sot se zjarri shpërtheu në katin e katërt rreth orës 01:00 të natës, në një prej paneleve kryesore që furnizojnë me energji elektrike maternitetin. Si rezultat, katër gra që kishin kryer lindje me operacion dhe 17 fëmijë janë zhvendosur në katet e mëposhtme të maternitetit. Ndërsa dy gra që erdhën për lindje u dërguan në maternitetet e Tiranës.

Kati i katërt ku ra zjarri është kati më i rëndësishëm i maternitetit të Durrësit, se aty kryhen lindjet dhe operacionet. Ndërkohë tre kateve të tjera ku qëndrojnë pacientet edhe foshnjat, u është siguruar ngrohje dhe energji.

Për momentin, lindjet çezariane do të kryhen në Kirurgjinë e Durrësit ose dhe në kryeqytet. Prokuroria po heton mbi zjarrin.