biznes
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka bërë sot një reagim kundër Ligjit për Procedurat Tatimore, i miratuar pak ditë më parë në Kuvend. Ky ligj thotë Dhoma Amerikane e Tregtisë rrezikon të falimentojë biznesin pasi masat penalizuese që parashikohen janë në disproporcion me nivelin e biznesit.

“Në të gjithë botën gjobat përcaktohen si një përqindje e caktuar mbi nivelin e xhiros apo totalit të taksave të paguara, që do të thotë se një biznes me xhiro vjetore 8 milion lekë nuk mund të gjobitet 10 milion lekë, sepse shkakton falimentin e menjëhershëm të biznesit. Bëhet fjalë për kategori biznesi të cilat nuk kanë edukimin e mirëfilltë fiskal, nuk kanë mundësinë financiare të kenë ekspertizë në dispozicion, dhe ndryshimet e bëra në Ligjin për Procedurat Tatimore janë zbatuar pa ju lënë kohën e nevojshme që t’i njohin dhe t’i zbatojnë”, vlerëson DHAT.

Një tjetër aspekt, sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, është se ky ligj nuk parashikon masa drastike për punonjësit tatimore të cilëve u është lënë liri dhe autoritet i pakufishëm në interpretimin dhe zbatimin e këtyre masave duke rritur ndjeshëm rrezikun e abuzivitetit dhe të korrupsionit. Dhoma thekson se ky ligj nuk është konsultuar me grupet e interesit. Ajo kërkon nga qeveria rishikim.