Eksperti i të drejtës ndërkombëtare, Ksenofon Krisafi, e përligj shqetësimin e krijuar lidhur me negociatat e qeverisë shqiptare me atë greke për marrëveshjen e detit.

I ftuar në Ora News, ai thotë “zhurma” krijohet për shkak të sensitetit që ka çështja por edhe mungesës së transparencës.

“Shqetësimi që është ngritur në gjitha qarqet është i përligjur dhe mirëkuptueshëm. Arsyeja e parë është se kemi të bëjmë me një çështje shumë sensitive, çështje kufijsh dhe Shqipëria ka qenë gjithmonë e kafshuar, e copëtuar nga pikëpamja territoriale nga fqinjët e vet, gjithmonë kanë përfituar, kanë marrë prej saj. Janë të preukopuar që kjo gjë mos të ndodhë.

Së dyti, ka të bëjë nga një mungesë transparence nga ajo që po ndodh. Unë vi vetë nga qarqe të politikës së jashtme, në politikën e jashtme ka pa diskutim edhe një atmosferë konfidencialiteti, disa gjëra nuk thuhen, thuhen përgjysmë ose pak nga pak. Por për këtë çështje që është kaq shumë e ndjeshme, ministra ose autoritetet përkatëse do të duhet të bënin pak më shumë për të ndriçuar atë çka po ndodh në të vërtetë”, – tha Krisafi.

Armand Skrapi, Drejtor i Drejtorisë së Traktateve dhe së Drejtës Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme thotë se delimitimi i hapësirës detare është në interes të Shqipërisë dhe Greqisë.
Sipas tij, çështja e delimitimit të hapësirave detare është një interes prioritar jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Greqinë.

“Përmes delimitimit të hapësirave detare shtetet përcaktojnë deri ku i shtrijnë kufijtë e sovranitetit të tyre dhe të drejtat sovrane dhe së dyti ka mundësi praktike për të shfrytëzuar ekonomikisht të gjithë resurset që gjenden në këto hapësira detare”, – tha ai
Në lidhje me deklaratat e ministrit të Jashtëm grek, sipas të cilit Greqia do të shtrihet 12 milje në hapësirën detare të vendit tonë, Skrapi tha se palët janë në diskutime dhe nuk ka asnjë marrëveshje për delimitimin e hapësirës detare.

“Palët janë në diskutime për mënyrën si do të zgjidhet ky ngërç. Pala shqiptare që në 2013 është në diskutime të vazhdueshme me palën greke në nivele diplomatike dhe teknike për të parë hapësirat për të zgjidhur këto marrëveshje mes tyre.

Deri para disa vitesh pala greke qëndronte strikte në qëndrimin e saj për t’iu përmbajtur asaj që ishte nënshkruar në 2009, ndërsa pala shqiptare i është përmbajtur qëndrimit se projekt-marrëveshja e 2009 nuk ekziston sepse është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe për këtë shkak palët duhet të hyjnë në negociata për një marrëveshje të re.

Pala shqiptare ka si udhërrëfyes pikat e përmendura në vendimin e Kushtetueses, ku ishin problemet që u evidentuan në atë që u nënshkrua në 2009. Të dy palët duhet të kenë parasysh legjislacionet respektive që përcaktojnë shtrirjen e kufijve të tyre detarë. Në parim është rënë dakord që mes të dy vendeve të arrihet një vijë delimituese e hapësirave detare që do të sjellë një rezultat të drejtë për palët bazuar në atë që parashikon Konventa e së Drejtës së Detit dhe praktika ndërkombëtare”, – tha ai.

Ndërkohë Ksenofon Krisafi ngriti pyetjen se si është e mundur që brenda një muaji apo dy muajve të arrihet një marrëveshje për një nga problemet më të rëndësishme, më të komplikuara, që mund të jetë siç janë përcaktimet e kufijve detarë.

“Nga sa thuhet deri tani janë bërë bisedime në parim, mund të jenë piketuar disa gjëra. Për 1 vit nuk bëhen dot ca gjëra. Me Italinë na u deshën 7-8 vjet për të përfunduar marrëveshjen me ta që nuk ishin kaq shumë problematike. Duket se bisedimet e deritanishme nuk kanë qenë vetëm në parim por do të jetë hyrë më në thellësi. Të bën përshtypje fakti si mund të zhvillohen bisedime pa pasur një projekt. Ndjej një lloj keqardhje si mund të vendosën gjëra kaq madhore për një kohë kaq të shkurtër”, – tha Krisafi.