basha3_0

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka folur për herë të parë pas dështimit të negociatave me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Basha tha nga çadra e lirisë se negociatat dështuan sepse Rama nuk pranoi kushtin e qeverisë teknike që sipas tij do të realizojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.  “Negociatat dështuan, sepse Rama refuzon që të lirojë karrigen e tij kryeministrore”, tha Basha i cili zbuloi hapin e radhës.
“Javën e ardhshme do nisim përshkallëzimin e mosbindjes civile anë e mbanë Shqipërisë për ti treguar Ramës se koha kur në Shqipëri bëheshin votime por jo zgjedhje ka marrë fund njëherë e mirë. Nuk do ketë më kurrë pushtet pa opozitë” – tha Basha.
FJALA E PLOTE E BASHES
Ata erdhën sot në Shqipëri dhe nuk kursyen përpjekjet për të gjetur një zgjidhje reale të krizës politike që ka mbërthyer vendin. Për fat të keq përpjekja e dy ndërmjetësuesve nuk pati sukses. Kjo sepse Rama refuzon qeverinë teknike të zgjedhjeve të lira si zgjidhjen e vetme por edhe si zgjidhjen e ndershme për të krijuar kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke zbatuar ligjin për dekriminalizimin, duke larguar kriminelët, duke larguar paratë e drogës si kërcënim për qytetarët dhe duke garantuar reformën zgjedhore sipas OSBE-ODIHR përfshirë votimin dhe numërimin elektronik.
Ky refuzim ka për bazë frikën e Ramës për të lëshuar karrigen dhe garancitë që përmes karriges kryeministrore i ka dhënë krimit të organizuar dhe narkokartelit në narkorepublikën që ka ndërtuar me duart e tij. PD ka rënë dakord me një numër të madh propozimesh të natyrës teknike të cilat do ndihmonin për të përshpjetuar procesin e dekriminalizimit dhe për të luftuar drogën. Por opozita nuk mund të pranojë që këto detyra që Rama me vetëdije nuk i kreu gjatë kohës që ishte në qeverisje, do të mund ti bëjë ato në katër javë që i kanë mbetur të mandatit të tij. Asnjë mundësi, asnjë mendje e shëndoshë smund të pranojë që njeriu që shkaktoi kriminalizimin e Shqipërisë do jetë përgjigjja për këto probleme në katër javë. Kushti për zgjedhje të lira dhe të ndershme mbetet qeveria teknike me mandat popullor për të luftuar drogën, për të nxjerrë jashtë institucioneve kriminelët.
Dua të denoncoj dhe dënoj aktin e turpshëm të kondicionimit të luftës kundër drogës dhe dekriminalizimit me gjoja votën për vettingun. Kjo nuk është çështje ‘ose dekriminalizim dhe drogë’, ‘ose vetting’. PD angazhohet që me një qeveri teknike të zbatohet plotësisht ligji i dekriminalizimit, të luftohet droga, të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të nisë pa vonesë zbatimi i vettingut sipas marrëveshjes së 22 korrikut. Rama nuk do as zgjedhje të lira dhe as vetting të vërtetë sepse i trembet demokracisë dhe drejtësisë të vërtetë.
Do ketë përballë të gjithë qytetarët e ndershëm shqiptarë. Ne nuk pranojmë zgjedhje fasadë, as vetting fasadë të diktuar nga Rama dhe interesat e tij kriminale. Jemi të vendosur të vazhdojmë pa kthim betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Le të bëhemi gati, shembulli i kësaj lëvizje të paprecedentë frymëzon sot çdo shqiptar dhe miqtë e Shqipërisë demokratike. Të vendosur do vazhdojmë qëndresën tonë në këtë monument të lirisë. Javën e ardhshme do nisim përshkallëzimin e mosbindjes civile anë e mbanë Shqipërisë për ti treguar Ramës se koha kur në Shqipëri bëheshin votime por jo zgjedhje ka marrë fund njëherë e mirë. Nuk do ketë më kurrë pushtet pa opozitë.