tatimet
Një gjobë e vendosur nga Tatimet në një klinikë dentare në kryeqytet për moslëshim të kuponit tatimor dhe mbajtjen e punonjësve të pasiguruar ka përfunduar në një konflikt të dhunshëm në 20 tetor të vitit 2015.

Dy tatimorët që kanë firmosur gjobën janë bërë pre e dhunës ku janë përdorur shuplaka dhe karrige nga ana e pronarit të biznesit dhe një personi tjetër.

Gjykata e Tiranës ka deklaruar të fajshëm të pandehurit Fredi K. dhe Fatmir S. si autorët e kësaj dhune, të ndodhur pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.

Ata janë fajësuar për “goditje për shkak të detyrës, në bashkëpunim” në dëm të inspektorëve të Tatimeve, Erion T. e Arian Xh. dhe janë gjobitur me nga 200 mijë lekë.

Sipas kallëzimit të dy tatimorëve, në 20 tetor ata kanë shkuar për kontroll në një klinikë dentare në Rrugën e Kavajës.

Pasi kanë shkuar te subjekti, ata kanë konstatuar shkelje të kryera prej tij lidhur me moslëshimin e kuponit tatimor për klientët e ndryshëm, si dhe mossigurimit të të gjithë personave që punonin atje.

Për këtë fakt, nga ana e tyre është mbajtur akti i konstatimit, ku pasqyrohen rezultatet e kontrollit dhe shkeljet e konstatuara.

Pasi kanë përfunduar kontrollin, ata kanë shkuar te një subjekt në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi” për kontroll.

Në këtë kohë Erioni është telefonuar në numrin e tij nga një person i quajtur Fredi, i cili i ka thënë se donte ta takonte. Erioni i ka treguar vendin se ku po shkonin dhe kur kanë arritur në destinacion, kanë gjetur dy persona që ishin duke i pritur në këmbë.

“Njëri prej tyre i ka thënë se ‘kishte vendosur një gjobë të gabuar’ dhe Erioni është munduar ta sqarojë se nuk ishte kështu si pretendonte ai.

Në kohën që ai po fliste, personi tjetër e ka goditur me shuplakë në fytyrë dhe më pas personi me emrin Fredi e ka goditur me karrige”

Në këtë kohë mes tyre ka ndërhyrë dhe një koleg i tij e pas pak ka ardhur policia, që i ka shoqëruar në komisariat.

Sipas vendimit të Gjykatës, nga akt­ekspertimi mjekoligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore rezulton se te kallëzuesi Arjan Xh. nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme trupore, çka shpjegohet me faktin se dëmtimet kanë qenë të lehta dhe vetëm skuqje e ënjtje e pjesës së fytyrës.

Në të njëjtën mënyrë ka konkluduar Mjekësia Ligjore edhe për të dëmtuarin Erjon T.