sdgdsgdfh
Dritan Zagani është shpallur në kërkim ndërkombetar. Njeriu, i cili akuzoi kohët e fundit ministrin e Brendshëm për lidhje me trafikantët e drogës, është shpallur në kërkim nga Interpoli, pasi Prokuroria e Rrethit të Vlorës kërkon arrestimin e tij, raporton TCH.

Në urdhrin e kërkimit ndërkombëtarë të nxjerrë nga Prokuroria, thuhet se arresti është lëshuar nga autoritetet gjyqësore kompetente. Kërkohet që Zagani të arrestohet me qëllim ekstradimi për të bërë të mundur ekzekutimin e vendimit të formës së prerë, pasi ka thyer vendimin e gjykatës për arrestin shtëpiak.

Në bazë të këtij urdhri, Interpoli e shpalli Zaganin në kërkim. Por vetë Zagani ka bërë një kërkesë kohët e fundit për strehim politik pas akuzave që i ka ngritur ministrit të Brendshëm.

Burimet e Interpolit nuk saktësojnë nëse i është kthyer një përgjigjie pozitive Zaganit apo jo, por gjithsesi janë në pritje nëse vendi fqinj ku ndodhet Dritan Zagani do t’i përgjigjet kërkesës së Interpol Tiranës.

Policia zyrtarisht nuk ka një të dhënë konkrete se ku ndodhet Zagani, por di vetëm që lëvizja e fundit e tij nga Shqipëria ishte drejt Italisë.

33-vjeçari nga Bushati i Shkodrës, ish-shef i Antidrogës në Fier, u arrestua kohë më parë për dekonspirim të një aksioni policor pas një kërkese të Shërbimit për Çështje të Brendshme dhe Ankesa. Gjatë vlerësimit të masës së sigurisë, Zagani u la me arrest shtëpie dhe më pas u largua drejt Italisë.