Edi Rama deklaroi sot se nuk do të ketë dëmshpërblim 100% për banorët e Astirit që preken nga projekti i Unazës së Re, të cilët nuk i kanë banesat e legalizuara dhe kanë ndërtuar në pronë të përbashkët.

Ai u ka bërë thirrje banorëve që të hapin rrugën dhe të mos protestojnë, ndërsa ka shtuar se në këtë mënyrë janë duke turpëruar veten dhe po bëhën “mish për top” për opozitën.

“Të thonë që kemi fut letrat për legalizim nuk do të thotë që ata janë në rregull dhe do t’i marrin. Ata që kanë ndërtuar pa leje, kërkojnë dëmshpërblim 100% për çfarë? Mbi cilin ligj? Me ç’të drejtën morale? Nga ku? Nga buxheti i shtetit? Që është kontributi i të gjithëve për shkolla, kopshte etj.?

Me këto para ne të dëmshpërblejmë zaptuesit që kanë ndërtuar shtëpi në zonë?

Ata njerëz të largohen nga rruga që kanë bllokuar dhe t’i hapin rrugë zhvillimit dhe të mos turpërojnë veten dhe familjen, dhe të mos bëhen gazi i botës dhe mish për top i opozitës”, u shpreh Rama.