Pas deklaratave të ambasadorit amerikan, Donald Lu, ka reaguar gazetari Ylli Rakipi me anë të një shkrimit të botuar në Tpz.al me titull “Hidhi sytë pak më lart, ambasadori Lu!” thotë se deklarata e tij për 4 klanet dhe 20 familjet mafioze është vetëm gjysma e së vërtetës që dihet. Duke e këshilluar ambasadorin të vijojë të flasë e të mos bëjë “njërin sy qorr e tjetrin vesh shurdh”, Rakipi përmend edhe fenomenin e kanabizimit si një problem të madh. Ai po ashtu i kujton ambasadorit se përveç klaneve e familjeve mafioze, njerëzit më të pasur të këtij vendi janë politikanët më të rëndësishëm të tij. Kjo sipas Rakipit, është e vërteta që duhet dëgjuar nga goja e ambasadorit të SHBA-ve.

“Duket që ambasadori amerikan Lu, ka harruar të shohë, ose nuk ka dashur të shohë, në këto dy vjet të qëndrimit të tij në Shqipëri, ngjarje dhe fenomene të çuditshme, që mund t’i konstatojë edhe një njeri fare i zakonshëm. Fjala vjen, nuk është aspak e kuptueshme, përse ambasadori amerikan Lu, nuk ka thënë asnjë fjalë për kanabizimin e Shqipërisë nga jugu në veri?! Kur një vend mbillet i gjithi me drogë dhe ambasadori amerikan nuk e sheh këtë gjë, këtu ka diçka të rëndësishme që nuk shkon.
Përse ju zoti ambasador i SHBA-ve nuk keni folur për këtë fenomen të rrezikshëm, që i ka rritur dhe zhvilluar së tepërmi përmasat e krimit të organizuar në Shqipëri?!
Gjithë kjo para e pistë që grumbullohet nga kjo drogë, nga këto trafiqe, nga ky kanabizim, sigurisht që do të pastrohet dhe futet në ekonominë shqiptare, shkëlqesi ambasador. Ky është shkaku që unë pyes se si ishte e mundur, që ambasadori Lu, ambasadorja Vlahutin dhe një tok tjetër e ambasadorëve të perëndimit, kalonin anash parcelave të hashashit, thithnin padashje aromën e tij dhe nuk thoshin asnjë fjalë. Kjo gjë i huton shumë shqiptarët. E çuditshme apo jo, zoti ambasador?
Nëse ju, apo paraardhësit tuaj, në emër të gjoja stabilitetit të vendit, bënin dhe bëni, njërin vesh shurdh dhe njërin sy qorr, përpara autoritarizmit të atyre që qeverisin dhe kanë qeverisur Shqipërinë, ne nuk mund ta ndërtojmë dot këtë vend, si një vend demokratik. Nëse përfaqësuesi i shtetit më të madh demokratik të botës, deklaron se katër klane kryesore kontrollojnë njëzet familje kriminale, që menaxhojnë operacionet kriminale dhe trafiqet, kjo është një gjysmë e vërtetë. E vërteta shkëlqesi është se njerëzit më të pasur të këtij vendi, janë politikanët më të rëndësishëm të tij. Kjo është e vërteta më e rëndësishme që ne duhet të dëgjojmë nga ju.” – shkruan ndër të tjera Rakipi.