berisha-gjiknuri
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, në diskutimin e projektligjit për hetimin ndërkombëtar të CEZ-it, Berisha ka rrëfyer mesazhet që Gjiknuri i ka çuar nëpërmjet oficerit personal, ku flitej për përfshirje të djalit të tij në aferën e CEZ-it.

“Gjatë jetës sime janë bërë presione të çdo lloj forme. Sot ky zotëria (Gjiknuri), nuk po ia marr si kërcënim, por për të thënë do t’ia them. I ka thënë oficerit tim se Shkëlzeni ka firmosur në një letër bashkë me dy të tjerë, në të cilën është i përfshirë”, deklaroi Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, mesazhi i përcjellë nëpërmjet Gjiknurit ishte blerja e heshtjes së Berishës, duke e shantazhuar nëpërmjet të birit.

Duke e cilësuar një akt të shëmtuar veprimin e ministrit Gjiknuri, ish-kryeministri Berisha i ka kërkuar atij ta çojë çështjen përpara organit të Prokurorisë, në mënyrë që të zbardhet e gjithë ngjarja.

“Ke 10 ditë afat që ta çosh në Prokurori. Nëse nuk e çon, do të shkosh vetë në Prokurori i akuzuar për falsifikim dhe shantazh. Njeri që kërkon të ngatërrosh të tjerët”, theksoi Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, standardi i vendosur për familjarët e tij nuk është shkelur në asnjë moment gjatë kohës që ai mbante detyrën e kreut të qeverisë.

“Po ta them, ta dish këtu, se Shkëlzeni, dhe po t’i kisha edhe 10 të tjerë si Shkëlzeni, ata kanë qenë dhe janë të detyruar sa të kenë marrëdhënie me mua, do të respektojnë standardin që unë respektoj. Shkëlzeni, me gjithë shpifjet dhe trillimet tuaja, nuk keni gjetur të ketë trillimin më të vogël në asnjë çështje që ka të bëjë me sektorin publik”, theksoi deputeti demokrat.

Sipas Berishës, akuzat e opozitës në drejtim të djalit të tij kanë qenë të vazhdueshme edhe në kohën që ai mbante postin e Kryeministrit, për të cilën sipas tij është angazhuar për zbardhjen e akuzave edhe ish-kryeprokurorja Ina Rama.

“Kryeprokurorja Ina Rama dhe djali im kanë qenë te prokurorët më fanatikë dhe më ekstremistë tuaj. Në fund janë detyruar të thonë që djali im nuk ka asnjë implikim”, tha Berisha.

Përballë akuzave, ministri Gjiknuri gjatë fjalës së tij nuk ka bërë asnjë koment, ndërkohë që në mënyrë të vazhdueshme ish-kryeministri Berisha i ka kujtuar se nëse akuzat do të bien, do ta padisë për shantazh/ Panorama