arta-dade-620x330
Deputetja e Partisë Socialiste Arta Dade kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama gjatë një interviste në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”. Dade kërkoi ndryshime në qeveri, veçanërisht aty ku janë edhe “sulmet më të mëdha të opozitës”.

“Është gjëja më normale që kur ka sensibilizim të opinionit publik nuk ka përse të mos ndërhyhet. Kujtoj qeverisjen tonë 8-vjeçare, por ne si ministra të asaj kohe kishim një ndroje dhe përgatitje kolosale kur dilnim para grupit tonë parlamentar, sepse ishim të detyruar të shpjegonim zbatimin e politikave në secilën ministri që drejtonim, dhe kjo fatkeqësisht nuk bëhet. Duhet kërkuar analizë nga të gjithë ministrat, grupi parlamentar duhet të ngrihet në nivelin e kryerjes së detyrës sonë si parlamentarë. Kryeministri edhe kur është një moment që ministrat duhet të japin shpjegime ai del dhe jep shpjegime vetë dhe ka një përpjekje për tu paraprirë sulmeve të opozitës, por le të themi gjerat që nuk shkojnë”, theksoi deputetja socialiste.

Por cilat janë shqetësimet që sipas Dades duhet thënë “troç” në parti?

“Me gjithë përpjekjet që janë bërë dhe vështirësitë, dëshiroj që ministri i Shëndetësisë i cili në debatin në Kuvend i tha zonjës Vokshi që do të kishin një proces gjyqësor se ishin të pavërteta ato që tha Vokshi… unë e di që është një ministri me probleme, ka qenë gjithmonë, por edhe sikur kryeministri të mos ketë në mendje të bëj ndryshime përkatëse…Ministrat që janë atakuar më shumë kanë detyrim të vijnë të sqarojnë në grupin parlamentar se si qëndrojnë çështjet. Unë besoj se sesionin tjetër parlamentar duhet ta nisim me këtë. Minimalja duhet të sqarohemi me grupin parlamentar që edhe kur mbrojmë qeverinë tonë të jemi të bindur”.

Sipas saj Partia Socialiste ka dështuar me hartimin e listave të deputetëve në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës.

“Është dështim me rastet e përfshirjes së elementëve që kanë krijuar probleme, dhe kjo është kosto për Partinë Socialiste. Ka tentativë për të promovuar njerëz që nuk i sjellin asgjë PS-së”, tha deputetja.

Risia që solli kryeministri Rama ku ministrat duhet të lënë mandatin e deputetit është bërë sipas zonjës Dade për t’i hapur rrugë futjes në politikë të personave preferencial të vendosur në lista në mënyrë arbitrare nga kryeministri.

“Sistemi i ri zgjedhor na krijonte mundësi të kishim një grup me një numër më të lartë të grave në politikë për të vendosur balancim edhe në nivel të profesionistëve. Kur vjen momenti për tu hartuar listat kjo i lihet arbitraritetit dhe vendimi që mori Kryeministri për të kërkuar dorëzimin e mandatit ministrave…nuk ka qenë në të njëjtën kohë dorëzimi i mandateve se ka pasur lidhje me preferencat në listë të personave që do të vijnë. Di që i është kërkuar grave të japin dorëheqjen që të vijnë ata që erdhën në fund dhe që ikën me problematikat që kanë. Forcat politike duhet të kenë instrumente lidhur me përzgjedhjen, midis 3-4 kandidaturave vendos kryesia, por për fat të keq kjo nuk është zbatuar. Ka pasur një afirmim të kryesisë, unë nuk kam qenë në mbledhjen e kryesisë, por kam dyshuar nëse është bërë puna më e mirë”, – tha deputetja Dade, njëherësh kryetare e Komisionit të Jashtëm.

Dade tregohet edhe më e ashpër kur thotë se në disa raste kanë qenë vetë strukturat shtetërore të cilat kanë lejuar ndërtimet pa leje.

“Nuk mund të lejohen ndërtime pa leje në mes të Tiranës pranë parlamentit kur janë shembur të gjitha lokalet në breg të liqenit dhe është bërë një gjë e bukur në Pogradec dhe janë lejuar nga strukturat e shtetit, nuk mund të bashkëjetojmë me raste selektive të ndërtimeve pa leje. Unë jam e bindur që kryeministri i di dhe i njeh këto raste”, u shpreh Dade.

Strukturat e Partisë Socialiste nuk kanë funksionuar, thotë Arta Dade, duke vënë në dukje se ka deputetë që nuk janë anëtarë të Partisë Socialiste.

“Nuk mblidhemi sepse kryesinë e mbledh kryetari dhe një numër kolegësh tani janë edhe ministra. Më në fund u mblodh asambleja që kishte dy vjet pa u mbledhur, kështu që ne nuk kemi funksionuar si struktura të partisë. Me idenë që funksion grupi parlamentar, nga njerëz që nuk kanë përvojë e nuk e di a janë të gjithë anëtarë të PS, se ndodh vetëm këtu që je deputet dhe bëhesh anëtar i partisë. Jeta politike fillon që në rini. Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur këto vite në PS. Të shpresojmë që ky kongres do të vë themelin e partisë në shinat ligjore se statuti është si kushtetuta dhe duhej zbatuar. Krijimi i strukturave të tjera kanë bërë që kryesia të mos mblidhet. Me individë të emëruar është vështirë të menaxhohen duke u bashkuar dy qarqe, se janë bërë 6 njësi të mëdha nga 12 qarqe dhe nuk funksion çdo strukturë dhe ka dhe arbitraritet në mënyrën se si përzgjidhen njerëzit. Nuk janë personalitete të rëndësishme që janë dhe të besueshëm. Nëse nuk janë figura të nivelit kombëtar dhe që kanë diçka për të thënë edhe në organizimin e partisë. nuk mund të bëhen gjërat për të promovuar individë. Ne në gjithë jetëgjatësinë e PS kemi mbështetur të rinjtë, për fat të keq nuk e ndjej këtë gjë dhe unë nuk jam njeri indiferent ndaj punëve të partisë. Strukturat e PS nuk funksionojnë në çdo rreth.”, u shpreh Dade.

Ajo tha se a Kongresi i Partisë Socialiste i cili u vendos të mbahej në Janar, nuk mund të shtyhej sipas dëshirave të koordinatorëve, “edhe sikur të jetë vetë propozim i Ramës”.

“Nëse vazhdojmë me të njëjtat praktika nuk ka kuptim as kongresi. Unë dua të dëgjoj nga grupet e punës çfarë është bërë në këto muaj dhe pse lind e nevojshme të shtyhet kongresi”, – u shpreh Dade.

“Kryetari i partisë nuk është zgjedhur dhe nuk kishte arsye pse të mos zgjidhej, mbasi kishte fituar zgjedhjet”, shtoi ajo.