hqdefault

Shvejkut rëndom i atribuohet një shprehje: “Njeriu bën ç‘të dojë po nuk ka lezet”. E në këtë rast po e njëjta shprehje shkon edhe për analistin pranë së majtës, Andrea Stefani, i cili në një shkrim spektakolar në gazetën “Shqip”, ka hedhur një version interesant: atë se vrasja e Doshit është shpikur nga selia e Shqupit.

“Ka një dyshim që vërtitet në ajër këto ditë të gjullurdisë që opozita e PD-së po përpiqet të ngjallë, pas akuzave të ngritura nga deputeti Tom Doshi ndaj Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta”, thotë Stefani, i cili i përgjigjet me një pikëpyetje këtij dyshimi: “Mos vallë kemi të bëjmë me një intrigë të sajuar me nxitjen e vetë lidershipit të PD-së që po përpiqet të përfitojë sa më shumë prej saj”?

Dhe këtë dyshim ai e mbështet mbi arsyetimin: ”Intriga si krim dhe kurth, nga e cila përfiton vetë krimineli që akuzon viktimën dhe arrin ta dënojë si kriminel, është një dukuri e vjetër sa bota”. Por analisti shkon edhe më tej.

Ai sjell si shembull krahasues vrasjen e Azem Hajdarit për të cilën thotë se opozita e asaj kohe e përdori për t’u rikthyer në pushtet. Pra se demokratët dhe Berisha e provokuan vrasjen e Azemit për qëllime politike. Andrea harron se njerëzit që e vranë Azemin ishin njerëz me uniformë dhe se për një kohë të gjatë ata u lanë të vriteshin në liri nga pushteti i kohës. Me të njëjtën logjikë Stefani mund të thotë edhe se Ndrea Prendi dhe Llupo vranë më 21 janar, të vënë nga socialistët, që kërkonin të vinin me çdo kusht në pushtet. Shyqyr zotit këtë nuk e ka nxjerrë ende nga goja. Ndoshta logjika e mbrapshtë i punon vetëm për njërin krah.