bas

Ka shkaktuar shumë zhurmë një shkrim me nota dashamirëse për Lulzim Bashën, i botuar së fundi nga portali ultrakonservator amerikan, shumë pranë administratës së presidentit Trump, Breitbart.com

Në artikull, i cili i kushton një vend të veçantë edhe deklaratave të liderit demokrat, ky i fundit pretendon se është luftuar dhe sulmuar pasi kundërshtari i tij politik, Edi Rama është një njeri i Sorosit: “Rama ka marrëdhënie me financierin dhe agjentin provokator ndërkombëtar George Soros. Basha u shpreh se ai beson se Rama është investimi kryesor i George Sorosit në Shqipëri dhe Ballkan”, shkruan Breitbart.com.

Në artikull lihet të kuptohet se influenca sorosiane e ka bërë opozitën e Bashës të ketë marrëdhënie të këqia edhe me një pjesë të shtypit ndërkombëtar si dhe me një pjesë të diplomatëve që bëjnë politikat për rajonin tonë (Lexo artikullin e plotë poshtë).

Pra i parë në këtë vështrim, depërtimi i Lulzim Bashës deri në faqet e Breitbart.comështë një sukses jo i vogël. Kjo media online e themeluar nga Andrew Breitbart, me qëllimin për t’u bërë si Huff Posti i së djathtës, nuk shquhet vetëm për qëndrimet e saj anti Soros. Ajo është shumë pranë administratës aktuale të presidentit Trump dhe qarqeve ultra konservatore amerikane. Këshilltari strategjik i Donald Trump, Stephen Bannon, e ka drejtuar atë për një kohë të gjatë, deri në gusht të vitit të kaluar kur u zhyt kokë e këmbë në fushatën presidenciale.

Pra në këtë kuptim fakti se Lulëzim Basha arriti të shprehë pikëpamjet e tij (i sponsorizuar ose jo) në këtë media, që numëron sipas kundërshtarëve të saj mbi 35 milionë vizitorë unikë në muaj, është padyshim një sukses. Po kështu mund të konsiderohet edhe fakti se media ku ai foli, ka një ndikim shumë të madh jo vetëm tek republikantë ultrakonservatorë, por edhe brenda zyrave të Shtëpisë së Bardhë.

Pra në këtë kuptim, lideri i opozitës nuk mund të gjente platformë më të mirë për t’u bërë jehonë pikëpamjeve të veta për Shqipërinë.

Por thënë këtë, problemi mbetet tjetër: Sa e ka transformuar Lulzim Bashën fakti se duhej të përshtatej me Breitbart.com ? Sa të besueshme janë pretendimet e tij se po sulmohet pasi është një mbështetës i flaktë i Donald Trump dhe sa të besueshme janë ato se kundërshtari i tij direkt, po mbrohet se është i përkëdheluri i Xhorxh Sorosit.

Po të njohësh pak Breitbart.com, vë re se përveçse ajo është një media ultra e djathtë, ajo është gjithashtu raciste, anti-semite, dhe misogjine dhe pro nacionalistëve të bardhë. Në më shumë se një rast, gjatë kohës që drejtohej nga këshilltari aktual i Trump, Bannon, Breitbart.com ka botuar tekste kundër muslimanëve. Nuk është mjaftuar me kaq, po nuk ka nguruar të sulmojë edhe hebrenjtë. Madje ka arritur kulme me sulmet seksiste duke mbajtur qëndrime të tilla si “kontraceptivët i shndërrojnë femrat në të çmendura dhe të shëmtuara”.

Rreth kësaj ideologjie vërtiten edhe mendimet e Stephen Bannon. Ky 62 vjeçar, qw  ka qenë më parë oficer marine, bankier tek Goldman Sacsh, pastaj prodhues filmash në Holliwood, është konsideruar nga vetë themeluesi i Breitbart News, Andrew Breitbart si «Leni Riefenstahl i Tea Party”.  Pra si regjisoria e famshme e filmave glorifikues për Adolf Hitlerin.

Ai sot natyrisht është në qëndër të pushtetit në Shtëpinë e Bardhë, një nga tre- katër njerëzit më të fuqishëm të shtetit më të fuqishëm në botë dhe për këtë është shumë i lakmuar nga liderët politikë të shteteve të vogla.

Afërsia me të dhe shfaqja në median që ai drejtoi për disa vite, mbetet një qëllim i të gjithë udhëheqësve politikë që kapërcejnë Altlantikun.

Me sa duket këtë strategji zgjodhi dhe Basha. Por pyetja është me çfarë çmimi? A beson vërtet lideri demokrat tek ideologjia e Stephen Bannon dhe e  Breitbart News? A beson ai vërtet se po luftohet si mbështetës i Trump në Shqipëri? A beson tek ato vlera që u përmendën dhe që janë krejtësisht të kundërta me idealet e Europës së Bashkuar, që ai ende nuk i ka mohuar? Apo mos vallë e gjitha kjo nuk duhet marrë kaq seriozisht, por duhet parë thjeshtë si një përpjekje për të treguar në Tiranë se është lidhur me më të fortin?