dsgdf

Botuesi i gazetës Mapo, dhe administratori i Universitetit Europian të Tiranës, Herni Çili i përgjigjet filozofit dhe pedagogut Artan Fuga në një shkrim të gjatë të botuar sot në Mapo.

Çili replikon me Fugën për disa çështje, përfshi reformën në arsim, bashkëpunimin me UET, raportet personale dhe qëndrimet e fundit të tij mbi situatën politike në vend.

Lidhur me kundërshtimin e reformës në arsimin e lartë, Çili shkruan se Artan Fuga ka qenë shumë i përfshirë në sektorin privat të arsimit dhe se vetëm nga mësimdhënia në UET apo konsulenca akademike, ai ka përfituar më shumë se 110 mijë euro pagë.

“Nëqoftëse qëndron vetëm 4 ose 5 muaj në Shqipëri në punën që paguhesh me paratë publike, në qoftë se ti ke marrë 400-500 mijë Euro nga sektori privat, përse të mos u ofrosh të tjerëve supën e ftohtë dhe të shpifur të universitetit shtetëror?”, shkruan Çili. Sa i përket pretendimit të Fugës se UET ishte në shërbim të Lulzim Bashës në Iniciativën për Tiranën në vitin 2011, Çili thotë se ai po gënjen plotësisht.

“Ajo nismë, për të cilën jam krenar se prodhoi politikanin Lulzim Basha, nuk ishte e UET, vetëm 3 nga 31 pjesëtarët e asaj liste njerëzish të respektuar në qytet, të majtë e të djathtë,  ishin atëherë pedagogë të brendshëm në UET. Ne ftuam pa hile të dy kandidatët në debat për qytetin dhe askush nuk pati ndonjë presion për të marrë pjesë. As ti”, shkruan Henri Çili.

Më tej botuesi i MAPO dhe administratori UET komenton pozicionimin e Artan Fugës në mbështetje të protestës së opozitës.

“Ndërsa nuk kam aspak interes ndaj rolit aktual, atë të një njeriu të angazhuar publik dhe politik, sepse nuk keni marrë asnjë pozicion origjinal, thjesht keni rënë në një përtëritje të kamufluar të punizmit. Këtë rolin tuaj të fundit e njoh vetë mirë, militoj prej vitesh në kampin e ideve liberale dhe reformuese. Prej profesionit tim të vjetër si ish-gazetar apo rolit të sotëm si botues, e kam parasysh çfarë ndodh, pse bëhet dhe si bëhet”, shkruan Çili.

Në fund të shkrimit të tij Çili parlajmëron Fugën me padi nëse do të vazhdojë me akuza e shpifje.

Por meqë kam nisur të merrem me ju, kjo është e fundit gënjeshtër dhe insinuatë që ua fal. Pas kësaj, do të jetë zyra juridike që do të merret me deklaratat tuaja ose të kujtdo tjetër  nëse ato do të përbëjnë “shpifje, fyerje, dëmtim të reputacionit”.  Paratë e dëmshpërblimit që do të fitoj nga këto padi do t’i çoj në favor të veprimtarive të mia  jofitimprurëse, në kuadrin e Institutit Europian PASHKO për të promovuar frymën liberale në këtë vend”, e përfundon shkrimin Henri Çili.