Djegia e mandateve nga opozita shqiptare ka bërë menjëherë jehonë në mediat e huaja. Rrjeti amerikan Fox News raportoi vendimin e Partisë Demokratike për të djegur mandatet dhe për të mos u futur në parlament.

“Ligjvënësit opozitarë planifikojnë të largohen nga parlamenti shqiptar” – ishte titulli i shkrimit në faqen online. Në shkrim bëhet një paraqitje e situatës ku thuhet se partitë opozitare kanë vendosur të lënë mandatet e tyre në parlament.

Fox News citon kreun e PD-së Lulzim Basha që kërkoi një qeveri transitore e cila do të organizojë zgjedhjet e parakohshme. Në shkrim paralajmërohet edhe protesta që opozita do të mbajë të enjten përpara parlamentit.

“Basha akuzoi qeverinë për lidhje me krimin e organizuar, vjedhje të votave duke anashkaluar drejtësinë dhe sistemin gjyqësor” – thuhet në shkrim.

Fox News citon edhe zv.kryeministrin Erion Braçe që e quajti këtë një “lëvizje të parëndësishme”. Sipas Braçes, demokratët nuk duan që të largohen gjyqtarët e korruptuar.