Rama Cani
Pasi i njoftoi vendimin për ta shkarkuar nga detyra e ministrit të Finanacve, kryeministri Edi Rama i ka shprehur falenderimet Shkëlqim Canit për angazhimin e tij në qeveri. Falenderimet kanë qenë edhe për profesionalizmin dhe integritetin e plotë në kryerjen e njërës prej detyrave më të vështira qeverisëse të këtij mandati, siç thuhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë.

Kryeministri e ka informuar Shkëlqim Canin gjatë një takimi në zyrën e tij për vendimin e zëvendësimit të tij me një koleg tjetër. Ai i ka kërkuar vazhdimin e angazhimit të tij, me të njëjtin profesionalizëm e përkushtim, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë e Financave.

Sipas njoftimit, edhe ministri Cani e falënderoi nga ana e tij Kryeministrin për besimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në kapërcimin me sukses të situatës së rëndë financiare të trashëguar dy vjet e gjysëm më parë, si edhe e siguroi për vazhdimin me përkushtim të plotë të angazhimit të tij politik e profesional si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Shkëlqim Cani ka qenë i vetmi ministër i kabinetit Rama që ka mbajtur edhe mandatin e deputetit, deri kur në kabinet zuri vend edhe Blendi Klosi, si ministër i Mirëqënies Sociale.