durres_1_0
Në orën 20:45 minuta të mbrëmjes së të dielës, një makinë po i priste Ervin Kodrën (foto sipër) dhe Endri Çaushajn në rrethrrotullimin pranë “Torres”, një prej zonave më të populluara të Durrësit.

Dy të rinjtë po udhëtonin me një BMW X5 me targa AA 292 IH nga zona e Urës së Dailanit në drejtim të Currilave. Sapo kanë ulur shpejtësinë në rrethrrotullim, një breshëri plumbash ka vërshuar drejt tyre, duke i lënë të vdekur në vend.

Burime të lapsi.al thanë se atentatori i ka qëlluar përballë. Ai, sipas disa dëshmitarëve, ndodhej në vendin e parë të makinës. Në timon ishte një tjetër person, i cili nuk ka qëlluar. Ekspertiza balistike vërtetoi se është gjetur vetëm një lloj gëzhoje dhe plumbat janë qëlluar nga një armë e vetme, një kallashnikov.

30 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes.

Dy të rinjtë, 33 vjeçari Kodra, lindur dhe banues në Durrës dhe 25 –vjeçari Çaushaj, lindur dhe banues në Vlorë, kanë marrë disa plumba në trup. Kodra ishte në drejtimin e BMW -së.

Makina e tij u ndal para bordurës së një lokali, pasi u përplas me një autoveturë.

HETIMET

Atentati ka qenë i mirëorganizuar. Të gjitha detajet e provojnë këtë, sipas hetuesve. Dy atentatorët kanë patur dijeni për lëvizjen e viktimave të tyre.

Ky fakt i bën hetuesit të dyshojnë se në organizimin e atentatit kanë qenë më shumë se dy persona, ndonëse është qëlluar vetëm nga njëri prej tyre.

Mbi 30 persona janë shoqëruar në polici. Disa janë të dyshuar dhe disa të tjerë janë marrë në pyetje si dëshmitarë okularë apo persona të njohur me viktimat.

Prokuroria i ka shtrirë hetimet në disa pista. Dy kryesohet mbeten ajo e hakmarrjes dhe ajo e larjes së së hesapeve.

Dhe gjithçka vërtitet rreth emrit të Ervin Kodrës. Ai është person i njohur për policinë e Durrësit. tetorin e vitit 2008 ai ishte arrestuar si pjesë e një bande që ekzekutoi Saimir Ballën.

Më 14 tetor Ervin Kodra, Elvis Tafa dhe Orges Dervishi u përfshinë në një sherr me Saimir Ballën në një lokal pranë Pallatit të Kulturës. Tafa e Dervishi u akuzuan për vrasjen me pistoletë të 25 –vjeçari Balla. Ndërsa Kodra u akuzua për përkrahje të autorit të krimit dhe jo si person që e kishte kryer atë. Ai u la i lirë pasi prokuroria nuk arriti të provojë që ai i kishte fshehur autorët, me një vendim të marrë në të tre shkallët e gjyqësorit.

Kodra dyshohet gjithashtu edhe për disa vepra të tjera penale dhe si i përfshirë në trafiqe të paligjshme. Për këtë arsye, larja e hesave për prishje pazaresh, është një tjetër pistë mbi të cilën po hetohet.

Sipas grupit hetimor, Kodra mbetet deri tani shenjestra e atentatit. Për Çaushajn, ka pak të dhëna. Por edhe aktiviteti i tij është nën hetim. Lapsi.al mësoi se policia e Durrësit ka kërkuar ndihmën e policisë së Vlorës për të hetuar mbi të shkuarën e tij. /