shkelqim-cani_0
Ministria e Financave ka sqaruar përmes një njoftimi për shtyp arsyet e publikimit të nivelit të borxhit publik. Një ditë më parë kjo ministri pranoi se borxhi kishte prekur nivelin e 72.2 % të PPB në fund të vitit 2015, kundret 69.83 % të PPB që ishte në dhjetor të vitit 2014 (shih shkrimin më poshtë në rubrikën lajme të lapsi.al”. Publikimi i këtij informacioni në një kohë kur ministri Cani është shkarkuar nga detyra, në ditën kur Presidenti i Republikës e dekretoi shkarkimin e tij, u komentua si “hakmarrje” e Canit ndaj Edi Ramës. Por sot ministria ka nxituar të sqarojë arsyet që sipas saj e çuan në publikimin e një informacioni të tillë.

“Ky njoftim lidhet vetëm me detyrimin ligjor të publikimit të buletinit përkatës zyrtar dhe me asnjë rrethanë tjetër. Sipas praktikës shumëvjeçare, të dhënat mbi borxhin e qeverisjes së përgjithshme publikohen çdo tre muaj në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Financave. Për tremujorin e parë deri në tretin, publikimi bëhet jo më vonë se fundi i muajit pasardhës. Për tremujorin e katërt publikimi bëhet sipas urdhërit të Ministrit për mbylljen e vitit raportues”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Sipas saj, në strukturën e stokut të borxhit publik, borxhi i Qeverisë Qëndrore përfaqëson 99.91% të stokut, ndërsa borxhi i pushtetit lokal 0.09% të tij, duke ruajtur të njëjtat nivele me fundin e vitit 2014.