Në raportin më të fundit për vendet kandidate, Komisioni Europian merr në analizë ekonominë shqiptare sipas sektorëve të caktuar.

Një ndër ta është pikërisht tregu i punës. “Tregu i punës reflekton zgjerimin e përgjithshëm të ekonomisë, por ngadalësimi i tremujorit të fundit të vitit të kaluar ngadalësoi gjithashtu punësimin, në 1.4%.”-thotë Komisioni Europian. Komisioni Europian vë në dukje ngadalësimin e tregut të punës në sektorin jo-bujqësor. Për herë të parë pas 3 vitesh në rënie të vazhdueshme, norma e papunësisë në vend ka mbetur e pandryshuar.

Pavarësisht kësaj, Brukseli vë theksin te punësimi i të rinjve, që po vazhdon me një hap të shpejtë. Rritja fiksohet në 25% në krahasim me një vit më parë. Edhe papunësia te të rinjtë vlerësohet në rënie të ndjeshme në krahasim me vitin e kaluar, paçka se mbetet ende në nivele të larta, në pak më shumë se 20%. Brukseli vë gjithashtu theksin te rritja e pagave dhe te fakti që në sektorin publik rritja rezulton të jetë më e vogël se në atë privat.

Ndër të tjera Komisioni Europian e vë theksin te hendeku ende mjaft i madh mes meshkujve dhe femrave sa i përket të qenit aktiv në tregun e punës. Kjo diferencë është më e madhe se 16 pikë përqindje mes dy gjinive, çka do të thotë se, një pjesë e konsiderueshme e grave dhe vajzave vijojnë të jenë shtëpiake për zgjedhjen e tyre.