276223_1

Karlo Bolino, drejtuesi i gazetës Shqiptarja.com ka bërë sot një parashikim se ç’do të ndodhte, nëse Lulzim Basha do t’i shkonte deri në fund idesë së bojkotit të zgjedhjeve. Në një editorial, ku shikon rikthimin e Berishës si zgjidhje për PD, Bolino nuhat se Rama nuk duhet të gëzohet nga bojkoti. “Edi Ramës nuk i mbetet tjetër veçse të festojë. Megjithatë, nuk është kështu. Pasi mungesa e forcës kryesore të opozitës në zgjedhjet e qershorit përbën një problem jashtëzakonisht të madh për të gjithë. Edi Rama dhe Ilir Meta, natyrisht që duan të fitojnë zgjedhjet dhe ndoshta me këtë qëllim do të bashkojnë forcat, siç bënë më 2013, në një martesë jo me dashuri, por për interes, por që kjo fitore për ta të ketë një sens, duhet që në fushë të ketë një kundërshtar” shkruan ai. Por nëse Basha refuzon ta bëjë rolin e kundërshtarit që ai e quan fasadë, pra sa për legjitimimin e fitores së Ramës, Bolino parashikon një skenar të keq. Natyrisht, pasi thotë se Basha po sillet kështu nga frika e humbjes së sigurtë, pa përmendur rreziqet reale të zgjedhjeve të lira, Bolino vë alarmin për strategjinë e Bashës.
“Strategjia e Bashës është ajo që të tërheqë në disfatë edhe Ramën dhe Metën, pushteti i të cilëve do të dilte i delegjitimuar nga një sfidë elektorale e fituar pa opozitë. Do të krijohej një skenar i ngjashëm me atë të vitit 1996, kur opozita socialiste tërhoqi të deleguarit e saj nga qendrat e votimit dhe Berisha fitoi me 90% të votave, të vjedhura në pjesën më të madhe. Një fitore e ekzagjeruar, që shënoi fillimin e fundit të tij”. Eshtë pikërisht ky “skenar makthi” që duket se e ka frikesuar Bolinon.