rama-blushi-e1465994528163

“Nëse na japin kryeministrin dhe të bien dakord me programin tonë”. Është ky kushti që vë kreu i LIBRA-s Ben Blushi për Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj Edi Rama për një koalicion pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Blushi thotë se është i sigurt që partia e tij do të përfaqësohet në zgjedhje ndërsa ka dyshime se Rama do të jetë kryeministër pas zgjedhjeve.

“Për shkak të paaftësisë dhe mediokritetit me të cilin Edi Rama ka qeverisur, për shkak të mënyrës si u bë palë me bandat, për shkak si nuk mbajti asnjë premtim, për shkak se nuk mund të thotë që hapi një vend pune plus në Shqipëri, për shkak se ka dëbuar me mijëra shqiptarë nga varfëria nga papunësia dhe padrejtësia për shkak të reformave të degraduara dhe të paplota që bëri Rilindja e ka të pamundur të marrë më shumë se 64 mandate që i mori në vitin e saj të artë që ishte viti i zenitit që ishte viti 2013 kur ishin të gjithë bashkë.

Me 64 mandate ajo është forcë e parë dhe mund të kërkojë të bëjë qeverinë….

Në politikë nuk mbahet mend kujt u dha oferta për të bërë qeverinë. Mbahet mend kush arriti ta bënte qeverinë. Në këto zgjedhje me mënyrën se si Edi Rama e ndërtoi dhe me arrogancën që përdori në 4 vjet shumica e faktorëve që shkojnë në zgjedhje shkojnë për ta rrëzuar si kryeministër. Ka shumë njerëz që mund të mos pajtohen në shumë gjëra. Mund të mos pajtohen në programe, por pajtohen në një çështje se si të largojnë Edi Ramën” – tha Blushi.