20160211_194532_11021699_28-3_X5xcvjT1_0_0

Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi mori fjalën pas votimit nga Kuvendi të anëtarëve të mazhorancës në komisionin “ad hoc” të vettingut. Ai akuzoi kryeministrin Rama se me këtë votim, vettingu mbetet i bllokuar sërish, duke qenë se komisioni nuk është funksional për aq kohë sa mungojnë anëtarët e opozitës. Në këto kushte Blushi i kërkoi deputetëve të PS-së të bindin Ramën për të dhënë dorëheqjen. Ky akt sipas Blushit do të zhbllokonte edhe vettingun edhe mbajtjen e zgjedhjeve.

“Iku ky deliri Kryeministri i Shqipërisë. Jeni në krizë, drejtësia e bllokuar zgjedhjet e bllokuara. Sot duhet të kishte ardhur për të dhënë dorëheqje. Bindeni të ikë edhe 70 ditë se zhbllokohet vettingu. Bindeni të japë dorëheqjen nuk ka rrugë tjetër. Kam tre ditë që e kërkoj”, tha Blushi.

Ndërkohë kryeministri Rama ishte larguar nga salla bashkë me ministrat dhe pjesën më të madhe të grupit parlamentar të PS-së. Në sallë mbetën vetëm deputetët e LSI-së dhe disa deputetë të tjerë të vjetër të PS-së, si Bashkim Fino, Arta Dade etj.

Më tej gjatë fjalës së tij Blushi i kërkoi Vasilika Hysit, e sapovotuar si anëtare e komisionit “ad hoc” të vettingut, që të jepte dorëheqjen, pasi ajo është njëkohësisht edhe anëtare e Kryesisë së PS-së.

“Kam respekt për atë zonjë. Vasilika me ty e kam. Kam respekt për ty, je në Komisionin e Vettingut dhe në kryesinë e PS. Ti Vasilika je në kryesinë e PS dhe voton dhe për kryebashkiakun Rroshi dhe Dakon”,  deklaroi Blushi.

Anëtarët e tjerë të mazhorancës në komisionin e vettingut janë Ulsi Manja dhe Luan Rama. PS nuk i dha votën Shpëtim Idrizit, duke konfirmuar kështu krisjen në marrëdhënien mes tyre dhe afrimin e PDIU-së me LSI-në.