13582090_371700676286914_2451414625936998232_o

Një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një udhëzimi që pritet të miratohet në mbledhjen e sotme, ka vendosur të bllokojë regjistrimin e partisë LIBRA të Ben Blushit, kreu i saj ka shpërthyer kundër KQZ.

Në një postim në faqen e tij në FB, Blushi shkruan se pas vendimit për bllokimin e regjistrimit të partisë së tij, “nuk është mendja e BIBAVE të KQZ por e bandës së Rilindjes”.

Sipas Blushit, “LIBRA do shkojë në zgjedhje me cdo kusht dhe me cdo cmim pavarësisht nga Bibat, Bubat, Babat dhe Bebat e Rilindjes!”

Postimi i Blushit

KQZ KERKON TË NXJERRË LIBRA JASHTË LIGJIT

Pabesisht KQZ ka propozuar një akt që kërkon të bllokojë pjesëmarrjen e LIBRA-s në zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit.

Sipas Kodit Zgjedhor një parti e cila ka një mandat deputeti, gjashtë muaj përpara ditës së zgjedhjeve, mund të rregjistrohet në zgjedhje. LIBRA ka dy mandate deputetësh dhe e përmbush këtë kusht.

Por KQZ ka propozuar një udhëzim sipas të cilit data referencë e regjistrimit nuk është dita e zgjedhjeve por dita e dorëzimit të listave të deputetëve. Pra jo 18 qershori por 28 prilli.Ky akt është totalisht i personalizuar dhe bëhet vetëm për të penalizuar LIBRA.

Kjo është njëlloj sikur 1 qershorin ta bësh 1 prill me vendim KQZ-je. Natyrisht nuk është mendja e BIBAVE të KQZ por e bandës së Rilindjes.

E kanë kot. LIBRA do shkojë në zgjedhje me cdo kusht dhe me cdo cmim pavarësisht nga Bibat, Bubat, Babat dhe Bebat e Rilindjes!

Udhëzimi i KQZ

Udhëzimi i ri i KQZ-së, i cili duket se është bërë enkas për të mos lejuar regjistrimin e partisë së Blushit, kërkon mbledhjen e 5000 firmave për regjistrimin e subjektit politik për zgjedhjet e 18 qershorit. Ndonëse në Kodin Zgjedhor është e përcaktuar që mbledhja e firmave është e nevojshme vetëm për partitë, të cilat nuk kanë një mandat deputeti në 6 muajt e fundit në Kuvend, udhëzimi i KQZ-së kërkon që mbledhja e firmave për subjektet të lidhet me 6 muajt e fundit që nga koha që ato regjistrohen.