rama-basha_11

Një zv.ministër Drejtësie teknik nuk garanton votim të drejtë të të burgosurve, pasi që prej një viti, atyre iu është hequr e drejta e votimit.

Një ndër tre zv.ministrat që Edi Rama i ofron Lulzim Bashës, me kusht që të futet në zgjedhje, është edhe zv.ministri i Drejtësisë, me arsyetimin se të burgosurit mund të shfrytëzohen nga qeveria për të votuar pro saj.

Rama në këtë mënyrë do të iluzionojë Bashën me idenë se të burgosurit, nën mbikqyrjen e një zv.ministri teknik, të miratuar nga opozita, nuk do të përdoren për vota pro mazhorancës.

Lapsi.al zbuloi se e vërteta është se të burgosurit nuk mund të votojnë. Kjo e drejtë i është hequr të burgosurve pas ndryshimeve kushtetuese që u bënë në vitin 2016 me votimin e dekriminalizimit.

Ndërkohë, të burgosurit as mund të marrin leje dhe as mund të lëvizen duke filluar nga dy muaj para zgjedhjeve.

Këto dy fakte bashkë, tregojnë “oferta” e Ramës për një zv.ministër teknik me miratimin e opozitës, nuk ka impakt në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që opozita kërkon.