Bizneset kanë pakësuar fondet në banka gjatë muajit mars, duke ndikuar në uljen e vlerës totale të depozitave bankare. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të marsit depozitat kishin vlerën e 1.03 trilionë lekëve, në rënie me rreth 3 miliardë lekë nga shkurti. Rënia ka ardhur sidomos në segmentin e depozitave në valutë të biznesit dhe, në një vlerë më të vogël, të individëve.

Duke pasur parasysh se depozitat në valutë të biznesit ranë për të dytin muaj radhazi, si edhe periudhën e vitit, ndoshta pjesërisht kjo tendencë mund të lidhet me shpërndarje të fitimeve të vitit 2018. Kjo vlen sidomos për kompanitë e huaja. Një faktor tjetër mund të jetë shpejtimi i aktivitetit ekonomik dhe vënia në punë e parave në funksion të veprimtarisë së sipërmarrjes.

Nga ana tjetër, depozitat e individëve ishin pak a shumë të qëndrueshme. Rënia e depozitave në valutë u kompensua pothuajse në masë të barabartë nga rritja e atyre në lekë.

Pavarësisht rënies së marsit, në një horizont më të gjatë tendenca e depozitave të publikut në sistemin bankar ngelet në rritje. Krahasuar me një vit më parë, totali i depozitave është zgjeruar me rreth 19 miliardë lekë. Raporti mes kredive dhe depozitave në sistemin bankar ngelet mjaft i ulët, me më pak se 55%. Ky është një nga treguesit që dëshmojnë se sistemi bankar është gjerësisht likuid dhe hapësirat për të rritur huadhënien janë të mëdha.