gjirokaster-kryebashkiaku-bime-27-maj-2011

 

Një ditë pas kallëzimit penal nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për abuzim me lejet e ndërtimit, ka ardhur reagimi i kreut të Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Bime.

Në një konferencë për mediat, Bime deklaroi se gjatë gjithë punës së tij si Kryebashkiak ka zbatuar vetëm ligjin dhe se akuzat e IKMT janë të pavërteta.

Flamur Bime: “Më në fund Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit me kërkesën time erdhi dhe në Gjirokastër. Kallzimi tregon se shteti ligjor funksionon. Me dokumenta, fakte, argumenta, ne do të vërtetojmë që kallëzimi nuk qëndron.

Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar dhe në dispozicion të Prokurorisë dhe të gjithë organeve ligjzbatuese. Ne dhe në rastin konkret, por dhe gjithë udhëheqjen dhe qeverisjen e shërbimit në bashkinë e Gjirokastrës jemi udhëhequr nga ligji dhe vetëm nga ligji”.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kallëzoi dje penalisht kryetarin e bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime si dhe disa zyrtare të tjerë.

Vendimi i IKMT ka ardhur për shkak të një vendimi të miratuar nga Bime në kohën kur drejtonte KRRT e këtij qyteti për ndërtimin e një pallati 7 katesh në lagjen “18 shtatori” të këtij qyteti në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.

Flamur Bime, është kryebashkiku i tretë në radhët e Partisë Socialste që do të përballet me drejtësinë për shpërdorim detyre pas atij të Vlorës, Shpëtim Gjika dhe atij të Fierit Baftjar Zeqo.