Pas vendimit për çeljen e negociatave vitin e ardhshëm për Shqipërinë, ish-Kryeministri Sali Berisha ka publikuar 13 kushtet që ministrat e Jashtëm të BE-së kanë vendosur ndaj vendit tonë.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha thotë se në samitin e Luksemburgut, ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Europian kanë vendosur 13 kushte për Shqipërinë që të përmbushen deri në Qershorin e vitit 2019.

“Të dashur miq, këtu më poshtë keni 13 kushtet e vendosura nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë në fund të vitit 2019.
1- Rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet
2-Lufta kundër krimit të organizuar veçanërisht
3- Rezultate në luftën kundër kultivimit dhe trafikimin e drogave
4-Përparimin e mëtejshëm të procesit të vetingut të gjykatësve dhe prokurorëve
5- Përfundimin e dosjeve prioritare
6- Përfundimin e ngritjes së strukturave të pavarura të drejtësisë në përputhje me Kushtetutën
7-Përfundimin e vendosjes së organeve të specializuara SPAK
8-BKH dhe
9- Gjykatën
10- Fuqizimin e hetimeve aktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke përfshirë nivelet e larta
11- Rezultate konkrete në veçanti në shtetin ligjor
12-Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODHIR për zgjedhjet
13-Reduktimin e numrit të azilkërkuesve

Pasi përcakton detyrimin për plotësimin e këtyre 13 kushteve, deklarata e ministrave të Jashtëm të BE thotë:
Këshilli rikujton se vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë do t’i nënshtrohet përfundimit të procedurave kombëtare parlamentare (pra miratimit nga parlamentet e vendeve anëtare dhe mbështetjes nga Këshilli Europian) dhe kjo më pas do vijohet nga konferenca e parë ndërqeveritare (akti simbolik i hapjes së negociatave në varësi nga progresi i bërë)”, – shkruan Berisha në Facebook.