Berisha ne Prokurori

Ish –kyeministri Berisha ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se çfarë di ai në lidhje me akuzat e Tom Doshit ndaj Ilir Metës. Ai u thirr në prokurori pas deklaratave të bëra në parlament në lidhje më çështjen. Për afro 1 orë, ish –kreu i qeverisë u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve që po hetojnë akuzat e Doshit. Pas dhënies së dëshmisë, Berisha akuzoi kryeministrin Rama, kryetarin e kuvendit, Meta dhe ministrin e brendshëm Tahiri, se mbajtën të bllokuar hetimin për qëllime të mirëfillta politike.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda më çon dy ditë më parë thirrjen për t’u paraqitur si person që ka dijeni për ngjarjen në hetimin e akuzave më të rënda të 23 viteve të fundit, skenarit të vrasjes së dy deputetëve për qëllime të mirëfillta politike, pavarësisht nga pretekstet, në mënyrë që të shpëtohet Rama nga kundërshtari politik që u krijua brenda partisë së tij dhe Meta t’i japë një goditje opozitës për qëllime personale,” u shpreh Berisha.  

Ai nuk pranoi të jepte detaje mbi dëshminë, duke thënë se përbën sekret hetimor, por mbajtjen e kësaj ngjarje të fshehtë për 6 muaj e quajti një skenar orguzi. Ish –kreu i qeverisë, duke iu referuar atentateve të dështuara ndaj Fatjon Skënderit, personit që sipas Doshit ka qenë sekser i Metës dhe Durim Bamit, të pagurit për të kryer vrasjen, tha se u tentua dy herë që ata të eliminoheshin, me qëllim që t’u mbyllej goja.

“Natyrisht ato çka thashë aty përbëjnë sekret gjer në momentin që prokuroria t’i nxjerrë nga klasifikimi. Por nuk është aspak sekret kjo që them dhe është tronditëse, fakti që këtë skenar ogurzi kreu i qëverisë, i parlamentit dhe ministri i brendshëm e mbajtën për 6 muaj njëlloj si në shpellën e maftjes, e mbajtën jashtë ligjit, si një çështje midis tyre dhe nuk e dorëzuan para ligjit dhe për ligjin. Jo vetëm nuk e dorëzuan, por në 6 muaj kupola e përfshirë në këtë krim ndërmorri veprime që të rrënojë dhe të bllokojë me cdo kusht hetimin. U kryen 2 atentate ndaj dorësit që do të realizonte vrasjet, ndaj paguesit dhe sekserit të Metës në mënyrë që gojët e tyre të mbylleshin në mënyrë përfundimtare. Gjatë kësaj periudhe jo vetëm tentuan të eliminojnë dëshmitarët kryesore, por hetimin ia besuan kryetarit të PS për Tiranën, mikut të ngushtë të Emiljano Shullazit, Saimir Tahirit. E merrni me mend kur hetimi bëhet nga kryetari i PS për Tiranën dhe firmoset nga kryetar i PS për Shqipërinë. Në këto rrethana dhe krahas kësaj u përpunua skenari tjetër, sipas të cilit fajin e ka opozita. Dhe në këtë skenar të turpshëm, që e përdorin tipik regjimet diktatoriale, Ilir Meta, kryesisht ai, por edh eEdi Rama, nuk lanë akuzë pa nxjerrë për opozitën,” deklaroi Berisha për mediat.