sb-ld

Në intervistën me gazetarin Lutfi Dervishi në RTSH, Sali Berisha ka bërë një ndarje të qartë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Këtë të fundit madje e ka vlerësuar si një majtist, më shumë të majtë se Rama. “Ilir Meta është një majtist i palëkundur dhe ç’është e vërteta është më i majtë se Rama…” u shpreh Berisha.

PJESE NGA INTERVISTA MES LUTFI DERVISHIT DHE SALI BERISHES

LUTFI DERVISHI: Një muaj pas zgjedhjeve, Parlamenti do të mblidhet për ceremoninë e fillimit të detyrës së Presidentit të Ri. Do të jeni në atë seancë?

SALI BERISHA: Nëqoftëse ftohem. Eshtë një traditë normale, në të cilën pavarësisht se presidenti është zgjedhur pa miratimin e opozitës, por kjo nuk do të thotë se opozita nuk njeh presidentin. Opozita e njeh presidentin sepse ajo shumicë që ishte voton.

LUTFI DERVISHI: A keni një vlerësim për Presidentin e zgjedhur Meta, të cilin kryetari i Partisë Socialiste e ka quajtur president më afër opozitës…

SALI BERISHA: Ato janë vlerësime… Ilir Meta është një majtist i palëkundur dhe ç’është e vërteta është më i majtë se Rama…

LUTFI DERVISHI: Në këtë rast ju po i bëni kompliment…

SALI BERISHA: Po i bëj kompliment thua?! Mirë e ke! Vlerësim kam për një majtist. Natyrisht e kam theksuar dhe e theksoj që zgjedhjen nuk e kam quajtur kaq të domosdoshme. Për krizën që ndodhej vendi mund të bëhej me një diskutim më të gjerë dhe më të hapur dhe jo në atë mënyrë siç e bënë. Por a i takonte shumicës të zgjidhte presidentin? Unë them se i takonte shumicës të zgjidhte presidentin.

LUTFI DERVISHI: Si ish president i parë i pluralizmit, çfarë sugjerimi mund t’i jepnit presidentit të ri, me të cilin ju edhe keni pirë kafe publike?

SALI BERISHA: Natyrisht, presidenti ka një libër. Libri i presidentit është kushtetuta. Kjo është e vetmja që mund të them. Por e them që presidenti këtu është zhveshur nga funksione…