Ish –kryeministri Berisha është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në përgjigje të thirrjes së këtij organi për të dëshmuar në lidhje me akuzat e Tom Doshit ndaj Ilir Metës. Berisha ka mbërritur në prokurori rreth orës 9. Ai do të pyetet në lidhje me deklaratat që ka bërë të enjten në parlament. Ish –kreu i qeverisë u shpreh 4 ditë më parë se ai kishte qenë në dijeni të planit për eliminimin e Tom Doshit dhe se kishte informacion edhe për çfarë ishte folur në zyrën e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri mes këtij të fundit, deputetit Doshi dhe Durim Bamit, që Doshi pretendon se është paguar për ta eliminuar. Të premten në prokurori dëshmuan edhe kryetari i kuvendit Meta, kryeministri Rama, ministri i brendshëm Tahiri dhe deputeti Mark Frroku. Doshi do të ketë sot në mesditë një përballje me Frrokun, pasi në versionet e tyrë ka kundërthënie. Doshi e përfshiu Frrokun në deklaratën e tij si personin që e kishte njoftuar për planin e vrasjes, por Frroku duket se ka mohuar prokurorëve që të ketë patur dijeni për një plan të tillë. Në prokurori do të dëshmojë sot edhe deputeti Mhill Fufi, i cili, sipas Doshit, do të eliminohej gjithashtu me urdhër të Ilir Metës për shkak të ngjarjes së ndodhur ditën e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, në Laç, ku mbeti i vrarë një activist i LSI dhe u plagos vetë deputeti aktual i PD.