1448275159komis
Deputeti socialist Ben Blushi kritikoi indiferencën e Ministrisë së Jashtme për emigrantët gjatë diskutimit të buxhetit për këtë ministri.

“Duhet të ishit ministra lider për regjistrimin e emigrantëve”, i ka thënë Blushi, Bushatit.

“A ka qeveria një projekt për regjistrimin e emigrantëve? Nuk e dimë saktësisht sa janë dhe ku? Mund t’i paraprijë projektit për t’i përfshirë ata në votim. Janë njerëz që prej vitesh kanë ndihmuar ekonominë shqiptare me të ardhurat që dërgojnë. Nuk është e drejtë që t’u kërkojmë kaq shumë, të na ndihmojnë me të ardhurat e tyre dhe të mos u japim mundësinë të votojnë. U themi ejani për zgjedhjet, shpenzoni para dhe votoni! Kjo nuk është e drejtë për mua.” deklaroi Blushi.

Sipas tij gjendja ekonomike është shkaku kryesor i largimit të shqiptarëve.

“Rritja e borxhit është alarmante. E kemi gjetur nën 70 për qind, aktualisht ka shkuar mbi 73 për qind. kush është balancimi rajonal i fondeve?”

Buxheti i Ministrisë së Jashtme u miratua në parim në komisionin parlamentar, por nuk munguan akuzat në lidhje me çështjen e azilkërkuesve.

“Kemi më shumë se 100 mijë azilkërkues. Ky vend po rrokulliset. Ministri i Jashtëm është i paaftë” deklaroi deputeti i PD, Aldo Bumçi.