rama-vlahutin-1024x817
Duket që ka një tension mes komunitetit ndërkombëtar dhe palëve politike në Tiranë, jo vetëm për shkak të dështimit nga pikëpamja ligjore të dekriminalizimit. E dërguara e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, kërcënoi se do të flasë më 13 maj për çështjen e inkriminimit të politikanëve. Sipas gazetës Sot, BE ka dorëzuar në tavolinën e Ramës një dosje me emrat e të dyshuarve. Mes tyre nuk janë vetëm kandidatët për kryetarë bashkish, por edhe emra ministrash e deputetësh, thekson kjo gazetë.

Data 13 Maj do të jetë datë vendimtare dhe përcaktuese për betejën mes PD-PS dhe ndërkombëtarëve për çlirimin e politikës shqiptare nga bota e krimit. Ndërkaq, përtej sinjaleve dhe retorikës në publik, në prapaskenë ka zhvillime dramatike. Burime për gazetën bëjnë me dije se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me prezencën e Brukselit në Tiranë, kanë çuar në tavolinën e kryeministrit shqiptar Edi Rama dosjet e elementëve të inkriminuar në piramidën e pushtetit qendror dhe vendor. Pas një verifikimi dhe hetimi disajavor në bashkëpunim dhe shumë faktorë vendas dhe të huaj, prezenca amerikane në Tiranë dhe përfaqësia diplomatike e Brukselit, për herë të parë kanë vënë para një prove konkrete kryeministrin Edi Rama, duke i çuar në tavolinë dosjet e të inkriminuarave.

Sipas burimeve, nuk bëhet fjalë vetëm për dokumentimin e aktivitetit kriminal të disa kandidatëve për zgjedhjet e 21 Qershorit, por edhe për anëtarë të kabinetit qeveritar, të ekspozuar në mënyrë të dyshimtë ndaj botës së krimit. Më konkretisht, flitet për lidhjet e disa ministrave me grupe interesash dhe kriminale. Grupe të tilla qëndrojnë pas disa ministrave për interesa të caktuara dhe favore të paligjshme. Në të njëjtën kohë, faktori ndërkombëtar ka identifikuar tashmë edhe deputetët e inkriminuar në Parlamentin Shqiptar, të cilët do të jenë objekt i nismës për dekriminalizimin.

Deputetët u përkasin të dy krahëve politikë, por pjesa më e madhe janë të shumicës në pushtet. Nuk ka dyshim se lufta më e madhe po zhvillohet për fatin e disa kandidatëve të inkriminuar në zgjedhjet e 21 Qershorit. Emrat me dosjet përkatëse të këtyre kandidatëve janë në zyrën e kryeministrit. Afati është deri në 23 Maj. Pas kësaj date zhvillimet do të jenë të paparashikueshme.