Kreu i PD-së, Lulzim Basha “thumboi” sot ambasadorët e huaj në Shqipëri pas kërkesave për bashkëpunim mazhorancë-opozitë. Gjatë paradites ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin dhe eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein apeluan që mazhoranca dhe opozita të të bashkohen për integrimin.

“Ky proces kërkon që të ketë bashkim, jo retorikë. Integrimi europian nuk është për axhenda të fshehura. E kemi parë në disa vende por dhe këtu, disa grupe interesi e kanë kuptuar se çfarë është BE, por ka dhe disa grupe qe nuk nxitojnë sepse nuk e duan BE. Shumica dhe pakica duhet të bashkëpunojnë. Shumica te shtrijë dorën e dialogut, sepse pa këtë, procesi është pothuajse i pa mundur” – tha Vlahutin.

Nuk vonoi edhe përgjigjja e Bashës gjatë një takimi me të rinjtë në përkujtim të 2 korrikut 1990 kur shqiptarët hynë pasivisht në ambasadat e Tiranës.

“Më vjen keq që edhe sot ka pasur investime Don Kishoteske, nga ndonjë i huaj, që është vegla e Ramës. Problemi këtu nuk është komunikimi opozitë-qeveri, por i qeverisë së lidhur me krimin. BE ka folur qartë, nuk e pranon mashtrimin. Ai ka pasur edhe “dëshmitarë të rremë” që nuk kanë parë krimin, korrupsionin dhe drogën. Në Europë hyhet vetëm me të vërteta.

Nuk i ka mbyllur dyert konflikti politik. Ata që thonë këtë janë mercenarë të Ramës ndërsa përsiatjet që “hajde puthuni” janë anti-europiane, pasi demokracia europiane ka në themel antagonizmin. Si u shërbehet qytetarëve duke u bërë fresk apo duke u përballur? “Jo bashkëpunimi, jo puthuni, jo kërceni bashkë”, – ne nuk bashkëpunojmë me qeverinë e krimit dhe drogës”, – tha Basha.