Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme sipërmarrës të biznesit të vogël, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre në këtë kohë pandemie. Gjatë bashkëbisedimit me liderin e demokratëve, sipërmarrësit theksuan se në këtë kohë krize nuk po nxjerrin dot as bukën e gojës.

Basha përmes një postimi në ‘Facebook’ theksoi se biznesi i vogël është harruar nga shteti dhe i falimentuar gjatë pandemisë.

Postimi Bashes

Ndërkohë që Rama shpenzon të gjithë kohën duke cicëruar gënjeshtra kundër meje, ekonomia jonë po falimenton. Të dhënat krahasimore nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dëshmojnë se Shqipëria është ekonomia më e nën financuar e Ballkanit Perëndimor. Për 7 vite rresht Rama e ka shkatërruar ekonominë. Mijëra dyqane dhe njësi shërbimi si biznesi i Artan Muratit po vuajnë rënien e fortë të xhiros. Bizneset e vogla po marrin kredi për të mbajtur hapur derën. Prej muajsh nuk nxjerrin asnjë fitim. Vendet e punës i kanë shkurtuar. Komunitetet rreth tyre janë varfëruar më shumë. Kanë pritur që qeveria t’i ndihmojë një herë të vetme, siç kanë paguar taksat rregullisht. Por Edi Rama nuk ka kohë për problemet e shqiptarëve që e nxjerrin vetë bukën e familjeve të tyre. Edi Rama nuk ka as para për bizneset që mbajnë me bukë familjet e komuniteteve të tyre. Sepse taksat që mbledh prej tyre, Edi Rama i ndan me miqtë e tij. Kjo është arsyeja pse Rama nuk u jep ndihmë financiare qytetarëve që po vuajnë nga kriza e COVID-it. Ne do ta ndryshojmë këtë gjendje. Ne do të kujdesemi për biznesin, do të kujdesemi për të vetëpunësuarit, do të kujdesemi për të gjithë qytetarët dhe do të japim ndihmë financiare për çdo qytetar. Ne do të sjellim shpresë për Shqipërinë.

PJESË NGA BASHKËBISEDIMI

Artan Murati, pronar i një biznesi familjar u shpreh se xhiroja ditore ka rënë në një minimum ekstrem. Xhiroja e ditës së sotme ishte vetëm 5 mijë lekë të vjetra.
Lulzim Basha: Si po të shkojnë punët ?
Artan Murati: Shumë dobët është.
Lulzim Basha: Xhiro ka rënë besoj ?
Artan Murati: Po, ka ra fare ne maksimum.
Lulzim Basha: Si ja del?
Artan Murati: Ashtu duke e shtyrë. Kam marrë një kredi me një fjalë edhe..
Lulzim Basha: Kredi për të mbajt hap dyqanin?!
Artan Murati: Po. Asnjëlloj të ardhure.
As bukën e gojës nuk e nxjerr. Ja sot skam bërë as xhiro asgjë, 5 mijë lekë xhiro ka dyqani.
Lulzim Basha: Kjo është xhiro e vetme ?
Artan Murati: Kjo është xhiro e sotme.

Kryetari i opozitës, Basha i tha sipërmarrësve se kjo duhet të ishte periudha kur qeveria duhej ta ndihmonte biznesin shqiptar, ashtu siç qeveria e Kosovës apo qeveritë e tjera të rajonit ndihmuan bizneset e vendit të tyre.

Kreu demokrat premtoi se qeveria e dalë nga 25 prilli do t’i japë fund kësaj neglizhence dhe shpërdorimi kriminal të resurseve shtetërore, nëpërmjet një plani për ta ndihmuar ekonominë duke filluar me njerëzit e thjeshtë që kanë mbetur pa asnjë të ardhur, atyre që kanë humbur vendet e punës, ndihmë për njerëzit e thjeshtë, ndihmë për biznesin duke filluar nga biznesi i vogël, ndihmë për të gjithë ata që sot kanë nevojë më shumë se kurrë që shteti, paratë e taksave t’i çojë për të ndihmuar ata.

Lulzim Basha: Kjo ishte koha që Shqipëria të ndihmonte njerëzit, shteti të ndihmonte njerëzit në nevojë dhe shumica dërrmuese e bizneseve të vogla që janë në prag falimentimi, kanë muaj që nuk gjenerojnë asnjë fitim. Dolën të dhënat sot që Shqipëria është ekonomia me akreditimin më të ulët nga të gjithë vendet e tjera të Ballkanit. Çfarë gjëje më të rëndësishme mund të bëjë qeveria në një moment të tillë përveçse t’ju vijë në ndihmë ju? Kjo është kryesorja. Edhe në këtë kohë, ajo që po ndodh është e kundërta, paratë e taksave tuaja, paratë që paguani ju, po zhduken në xhepat e një grushti klientësh së qeverisë. Dhe kryeministri merret nga mëngjesi deri në darkë me sulme politike, me shpifje, me trillime. Këto as ju ndihmojnë ju, as e ndalojnë krizën, vetëm e thellojnë krizën. Prandaj të jesh i sigurt që së bashku do t’i japim fund kësaj. Duhet t’i kthejmë shpresën Shqipërisë. T’i japim një shpresë të re Shqipërisë.”