425A8638

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, iu përgjigj kryeministrit Edi Ramës që tha se PD po shkon drejt vetëvrasjes me mospjesmarrjen në zgjedhje. Basha tha se Rama duhet t’i thërrasë mendjes sa nuk është vonë, pasi qeveria teknike është formula e vetme që i shpëton kokën atij dhe krimit që ai përfaqëson.

“Sot, në vend që ti kërkojë falje shqiptarëve, në vend që ta kuptojë se qeveria teknike është mbi të gjitha formula për t’i shpëtuar kokën atij dhe bandës që e rrethon, formula e vetme që garanton një zgjidhje paqësore dhe demokratike të krizës dhe zhbllokon rrugën Europiane të Shqipërisë, krekoset dhe kërcënon më keq se mbeturinat e diktaturës, të cilës i dhamë fund 26 vite më parë. E pra, le ta ketë të qartë se sot jo vetëm për demokratët, jo vetëm për opozitën, por për shqiptarët e ndershëm kudo ku janë, të djathtë e të majtë dhe për partnerët ndërkombëtarë që vlerësojnë dhe duan një Shqipëri demokratike, europiane dhe të zhvilluar; pengesa, bllokimi, problemi kryesor dhe numër një i Shqipërisë për rrugën e saj europiane ka një emër, dhe ky është Edi Rama”, tha Basha.

Sipas Bashës në 18 Qershor nuk do të ketë zgjedhje, ndërsa qeveria teknike duhet të ketë në dispozicion të paktën 100 ditë para se të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Prandaj i garantoj qytetarët shqiptarë se beteja jonë, beteja juaj dhe zotimi im, sot janë më të forta se kurrë. Qeveri teknike me kohë të mjaftueshme për të kryer detyrat e saj. Ndaj nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje me 18 Qershor. Qeveria teknike duhet të ketë të paktën 100 ditë në dispozicion për të këputur lidhjet kriminale dhe për të çmontuar aparatin mafioz dhe narkotrafikantë që mban Edi Rama në pushtet.

Edhe njëherë, i bëj thirrje ti vërë gishtin kokës e ta kuptojë se këto kushte demokratike që populli ka vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk janë thjeshtë dhe vetëm rrugëzgjidhja dhe rrugëdalja për Shqipërinë europiane, por janë edhe shansi i tij i fundit për të mos përfunduar siç përfundojnë diktatorët e marrë që dëshirojnë t’i marrin liritë dhe demokracinë popullit. Thirri mendjes sa nuk është vonë. Beteja jonë ka nisur dhe do të përfundojë vetëm me fitore” u shpreh kreu i PD.?