Lulzim Basha ka folur për mediat pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger duke zbardhur një pjesë të bisedës dhe asaj çfarë kërkon opozita për reformën zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës mes palëve.

Basha tha se rruga e opozitës është e qartë duke përmendur kushtet e Bundestagut dhe kërkuar miratimin e një reforme zgjedhore që garanton lirinë e votës dhe menjëherë zgjedhje të parakohshme.

“Siç mund ta imagjinoni, me sekretarin e përgjithshëm të OSBE, tema kryesore ka qenë tema e zgjedhjeve. Opozita është e vendosur të japë kontributin e saj për një reformë të vërtetë zgjedhore që të garantojë lirinë e votës. Për këtë nevojitet vullnet politik për të miratuar këtë reformë dhe më e rëndësishmja vullnet politik për të zbatuar këtë reformë. Kjo është arsyeja pse opozita, PD, aleatët tanë kanë vënë në dispozion të kësaj reforme shumë të rëndësishme për qytetarët gjithë ekspertizën tonë që mund të them që është ekspertiza më e mirë në vend por nga ana tjetër duhet vullnet politik, i cili deri më sot mungon nga pala tjetër që është edhe pala e kapur në shkatërrimin e tre palë zgjedhjeve siç tregojnë raportet e OSBE-ODIHR.

Prandaj me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE kemi diskutuar për ndihmën që OSBE mund të japë në këtë drejtim, në veçanti në tre fusha kryesore, në rolin që ka OSBE për t’i kujtuar vendeve anëtare për standardet dhe kushtet që duhet të përmbushin sa i përket demokracisë dhe shtetit ligjor; së dyti në ofrimin e ekspertizës të ekspertëve të OSBE-së për të ndihmuar në këtë proces dhe së treti në rolin që OSBE mund të luajë për të ndihmuar në dialogun politik kaq shumë të nevojshëm dhe të kërkuar dhe nga BE dhe nga Gjermania për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Për opozitën rruga është e qartë, është e njëjta rrugë që përshkruhet dhe nga kushtet e Bundestagut, miratimi i reformës dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore ku vota e shqiptarëve është e garantuar dhe vullneti i shqiptarëve nuk tjetërsohet nga grupet kriminale dhe nga një qeveri e paaftë dhe pa vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme siç është qeveria dhe kryeministri aktual”, deklaroi Basha.

Ai tha se OSBE vetë ofron këto 3 mundësi, t’i kujtojë Shqipërisë detyrimet për zgjedhje të lira e të ndershme, t’i ofrojë ekspertizë dhes së treti që të ndihmojë në një dialog të vërtetë që të ketë një produkt. Sa i përket dialogut, Basha tha se ky dialog duhet të jetë jashtë dyerve të parlamentit.