PPE2

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar ndihmë nga partnerët ndërkombëtar për të shpëtuar, siç tha ai, Shqipërinë nga gremina e krimit, korrupsionit dhe drogës ku e ka zhytur Edi Rama. Duke folur në Kongresin e Partive Popullore Europiane që u mbajt në Maltë, Basha bëri një pasqyrë të gjendjes në Shqipëri, ku theksoi sërish kërkesën e opozitës për qeveri teknike, në mënyrë që të organizohen zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas tij prej vitit 2015 kultivimi i drogës është rritur me pesë herë në Shqipëri, ndërsa e gjithë kjo industri kriminale mbrohet dhe ka lidhje direkte me qeverinë

“Për më shumë, sipas Europolit dhe raportit të Departamentit të Shtetit mbi narkotikët dhe pastrimin e parave, Shqipëria është kthyer në portën kyçe të shpërndarjes së heroinës kudo në Europë si dhe bazë për operacionet e krimit të organizuar në rajon e në veçanti për pastrimin e parave. Kjo situatë dramatike është pasojë direkte e veprimeve nga qeveria aktuale socialiste që ka promovuar trafikantë droge dhe njerëz të dënuar në Europën perendimore për akuza të rënda për krim të organizuar, të cilët janë bërë deputetë, kryebashkiakë dhe zyrtarë të lartë publikë”, tha Basha.

Më tej kreu i PD-së është ndalur te protesta e opozitës që vazhdon prej 40 ditësh.

“Perspektiva e frikshme, që përmes kësaj zhbërje të demokracisë, Shqipëria të kthehet në parajsën e drejtuar nga droga dhe krimi, po ndodh në zemër të Europës. Ky model, i cili ka për qëllim përzgjedhjen e Parlamentit dhe qeverisë jo nga populli, por nga krimi dhe paratë e drogës, mund të ketë pasoja të rënda në rajon. Nëse kjo betejë nuk luftohet dhe fitohet në Shqipëri, vend anëtar i NATO dhe shtet kandidat për BE, me një shoqëri thellësisht pro-europiane, ku tjetër mund të fitohet? Ne gjendemi përpara dy zgjedhjeve. Të injorojmë dhe mbulojmë këtë realitet të frikshëm ose të ngrihemi dhe të luftojmë për thelbin e vlerave të demokracisë dhe shtetit ligjor”, tha Basha.

“Sot është dita e 40-të që protesta vazhdon 24 orë në ditë. Lufta jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme kërkon këputjen e lidhjes mes qeverisë dhe krimit të  organizuar. Ja përse vetëm një qeveri teknike mund të përmbushë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke zbatuar ligjin e dekriminalizimit dhe duke luftuar kultivimin e narkotikëve dhe trafikimin”, thksoi kreu i PD-së