Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e nisi turin e tij të takimeve me të rinj dhe qytetarë nga qyteti i Kavajës. Në takimin me të rinjtë atje, Basha prezantoi planin e tij për nxjerrjen e Universiteteve nga kriza në të cilën sipas tij janë futur.

Duke vënë theksin tek dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë, Basha prezantoi paketat mbështetëse për studentët, që sipas tij do të mundësojnë arsimin e të gjithë studentëve shqiptarë.

Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës.

Tani nuk është parlamenti shqiptar por parlamenti i hajdutëve, banditëve, gjakpirësve të këtij populli. Por në atë godinë unë kam parashtruar fare qartë sesi mund të hidhet hapi i parë të zgjidhur krizën në Universitete. Dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë.

Kjo do të thotë që gjithë studentët që vinë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj përfitojnë jo përgjysmim por financimin e plotë të tarifave universitare për bachelor dhe master. Do të thotë që me paratë e buxhetit të shtetit, që në fakt janë paratë e prindërve tuaj, dhe me asnjë lek shtesë çdo bir dhe bijë shqiptari të ketë mundësinë të ndjekë studimet universitare në institucionet publike të arsimit të lartë pa paguar asnjë lekë nga tarifa universitare.

Për ata që vijnë nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra, përgjysmim tarifash. Për ata të tjerë që edhe me zerimin e tarifave e kanë të pamundur, ata meritojnë dhe duhet të kenë mbështetje financiare nga shteti. Me planin tonë ne mundësojmë që të paktën 5000 studentë shqiptarë që vinë nga familje që nuk kanë mundësinë të përballojnë as kostot minimale jo vetëm nuk do të paguajnë tarifat universitare por do të kenë mbështetje në vlerën prej 2 200000 lekësh të vjetra në vit për tu paguar të gjthë koston e qirasë, librave, transportin publik.

Pas këtyre ndërhyrjeve mbeten mjaftueshëm para për të investuar në infrastrukturën studentore dhe atë akademike, pra në konvikte, por kështu në salla, auditore, laboratore, teknologjinë e informacionit sepse jemi i vetmi vend në Europë, ndoshta dhe në Afrikë, ku kompjuteri mësohet me shkumës dhe dërrasë të zezë.