Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pritet të zhvillojë ditën e sotme një takim me drejtuesit e partive aleate: Agron Dukën, kreun e Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Vangjel Dulen e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ)-së, Dashamir Shehun e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Nard Ndokën e Partisë Demokristiane (PDK), si edhe Fatmir Mediun e Partisë Republikane (PR).
Takimi që parashikohet të zhvillohet në orën 14:00 në selinë blu, vjen pasi aleatët e PD-së kërkojnë nga kryedemokrati afrimin e të gjitha figurave që kanë kontribuar ndër vite, përfshirë këtu edhe ata të cilët janë larguar prej lidershipit demokrat përmes listave për deputet.

Ndërkohë, na ndajnë vetëm dy ditë nga tryeza që pritet të organizojë OSBE-ja në funksion të realizimit të reformës zgjedhore. Pak ditë më parë, OSBE ftoi opozitën jashtëparlamentare për t’u bërë pjesë e kësaj tryeze gjthëpërfshirëse, që u pasua edhe nga një ftesë e adresuar nga kryeministri Edi Rama, që u cilësua e pasinqertë nga kreu i PD-së.

Burime nga opozita bëjnë të ditur se në takimin e së martës aleatët opozitarë do të diskutojnë për t’u paraqitur në tryezë në nivel ekspertësh.