Lulzim Basha iu përgjigj Edi Ramë i cili tha sot në Kuvend se vendi ynë i ka plotësuar kushtet, por BE nuk është gati të hapë negociatat me Shqipërinë.

Në një dalje për mediat, Basha tha se fajtori kryesor për dështimin e radhës të integrimit të Shqipërisë është vetë Edi Rama, i cili sipas tij, nuk merr përgjegjësi për drogën, krimin, blerjen e votave, etj.

“Me mënyrë si Rama po mbyll dhe rrezikon rrugën shqiptare të BE shpejt do vijë kur do tregojë me gisht fajtorët, që do të jetë çdokush, opozita, mediat, evropianët, dhe i vetmi që s’do ketë asnjë faj do jetë vetvetja. Është bërë kaq i parashikueshëm, sa fjalimin që ja parashikova para dy muajsh, sapo e mbajti në Parlament. Fajin për dështimin e hapjes së negociatave e ka Rama. Është ky njeri në pushtet prej 6 vitesh, dhe dështimi ka vetëm vulën e tij. Premtoi se do hapë negociatat, por dështoi, siç ka dështuar në çdo premtim tjetër. Ky është dështimi më i fundit në kaosin, ku e ka futur vendin.

Për këtë arsye, Shqipëria është në krizë, shqiptarët po largohen nga vendi, ekonomia është në kolaps, ndërsa kushtet për Shqipërinë shtohen, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit ecin përpara. Nëse do të ishte i vërtetë mashtrimi, që këto vende do të ishin kundër integrimit, pse ata i thonë “PO” Maqedonisë dhe “JO” Shqipërisë. Arsyeja është se Rama ka dështuar në të gjitha fushat, ku Shqipërisë i është kërkuar progres. Edhe sot i iku përgjegjësisë për krimin, drogën, blerjen e votave, për mbrojtjen e kriminelëve nga Pjetri te Kajmaku, duke i ikur përgjegjësisë për mbrojtjen që ju bën personave në listën e zezë të SHBA, si Tom Doshi. Rama jo thjesht mundohet të heqë fajin, por fakton para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se ai nuk e do integrimin evropian.

Cili nga nëntë kushtet reflekton probleme imagjinare të politikës së brendshme gjermane? Cili nga dy kushtet e reja, arrestimi dhe procedimi i personave të kapur duke vjedhur votat, është përgjegjësi e politikës gjermane? Është një përpjekje e varfër, e shteruar, e dalë boje, për ta hedhur fajin diku gjetkë, siç bën Rama gjithmonë, kur kapet me presh në duar. Ky nuk është momenti më për të vazhduar këtë lojë 6-vjeçare, kur përgjegjësi është vetëm Edi Rama”, u shpreh kreu i PD nga selia blu.