Lulzim Basha e pagëzoi krimin e organizuar shqiptar me emrin e Edi Ramës. Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar, Basha foli për një plan politik dhe ligjor kundër krimit të organizuar që PD do ta përgatisë kundër atij që Basha e quajti “karteli politico-kriminal”.

“Detyra jonë është të bëhemi bashkë në një ftont të gjerë opozitar, në një aleancë me të gjithë qytetarët shqiptarë, e ardhmja e të cilëve cënohet rëndë nga krimi i organizuar me pushtet dhe t’i japim vendit një zgjidhje, që është largimi i kartelit politiko-kriminal, me në krye kryeministrin e votave të blera, të mazhorancës fiktive dhe të parlamentit ilegjitim” u shpreh Basha në atë që tingëlloi një ftesë për partinë tjetër në opozitë, LSI-në.

“T’i kërkosh Edi Ramës të luftojë krimin e organizuar është njësoj si t’i kërkosh të luftojë vetveten” u shpreh Basha para gazetarëve.

Kreu i PD-së kujtoi blerjen e votave dhe përdorimin e bandave kriminale nga socialistët në zgjedhjet e 25 Qershorit për të dalë në përfundimin se qeveria vetë i përket bandave.

“Raporti i OSBE-ODHIR e thotë qartë: Fakti i parë është se vota u ble, u dhunua dhe u tjetërsua. Fakti i dytë është se vota u ble, u dhunua dhe u tjetërsua nga Edi Rama dhe partia socialiste. Fakti i tretë është se blerja, dhunimi dhe tjetërsimi i votës nga Edi Rama dhe Partia Socialiste u bë përmes parave të pistave të krimit të organizuar dhe ndihmës së bandave kriminale dhe krimit anembanë Shqipërisë. Qytetarët e kanë të qartë se kur një qeveri del nga shitblerja e votës, edhe qeveria është e blerë. Se kur përdoren kriminelët për të blerë, për të shantazhuar, për të dhunuar, për të mbledhur vota qeveria do t’u përkasë kriminelëve, jo qytetarëve.

Vendi është në prag gremine të paimagjinueshme në këto 27 vite. Është një këmbanë alarmi për të gjithë qytetarët.

Një plan politik dhe ligjor për të nisur bashkë me të gjithë shqiptarët e ndershëm, një luftë pa dallim, mposhtjen e krimit të organizuar. Ndaj PD po përgatit një plan politik dhe ligjor, për të nisur bashkë me qytetarët e ndershëm pa dallime politike, një luftë e cila mund dhe duhet të ketë veç një përfundim: mposhtjen e krimit të organizuar. Dhe për këtë duhet të mposhten “mjeshtrit” dhe ustallarët e tyre politikë. T’i kërkosh Edi Ramës të luftojë krimin e organizuar është njësoj si t’i kërkosh të luftojë vetveten. Mendoj se kjo është e tepërt” u shpreh Basha, që nuk përmendi direkt fjalimin e Donald Lu-së sot, por dukej i frymëzuar direkt nga fjalët e ambasadorit.