Ashtu sikurse lajmëroi më herët Basha ka nisur bashkëbisedimin e tij më gazetarët. Ai përballë tyre nga selia e PD-së tha se jemi në një situatë kur institucionet janë shpartallua nga krimi. Ai tha se vendi sundohet nga bandat.

“Në mes të qyteteve po ndodhin përplasje me armë, të cilat nxjerrin në pah, faktin që krimi është më i fortë se kurrë dhe kontrollon territorin dhe ekonominë. Organet e zbatimit të ligjit janë të shpartalluara dhe drejtuesit e tyre janë vënë në shërbim të krimit. Sot qytetet sundohen nga bandat që kontrollojnë gjithçka, kontrollojnë pushtetin politik, ekzekutiv, parlamentin e drejtësinë. Nga Tirana në Vlorë, Shkodër e Durrës grupe të rrezikshme kriminale përbëjnë sot aktivitetin e vetëm kriminal dhe ekonomik të vendit. Kanë shtënë në dorë gjithçka. Kudo në qytetet tona gjithçka kontrollohet nga bandat” – u shpreh Basha.

Duke folur në veçanti për qytetet Basha tha se sot Elbasani menaxhohet nga bandat në bashkëpunim me kryebashkiakun Sejdini dhe deputetin Balla. “Asgjë nuk ka në Elbasan vec krimit”- theksoi Basha.

Duke u ndalur në Shkodër, Basha akuzoi sërish ministrin Ditmir Bushati për lidhje me bandën e Bajrajve. “Njeriu që përfaqëson Shqipërinë para ndërkombëtarëve ka angazhuar krerët e bandës Bajraj, është njeriu që flet më shumë me ta” theksoi Basha.

Akuzat më të rënda kryedemokrati i lëshoi për qytetin e Vlorës, ku implikoi sërish vëllain e ministrit te brendshem, Agron Xhafaj.

“Në Vlorë gjithçka sundohet nga banda e trafikut të drogës. 100 % të kontrollit të detit e kontrollojnë njerëz të klanit kriminal Xhafaj. E kontrollojnë në bashkëpunim me ortakët e tij në krim, vëllezërit Murataj. Mbajnë prokurorë në listë-pagesa, që tani po përdoren për të shkatërruar hetimin për trafikun e drogës.” – tha Basha.