Lulzim Basha ka zbritur dalë në terren ku ka parë nga afër situatën me bizneset. Përmes një mesazhi në Facebook, Basha ka ngritur shqetësimin që po kalon sektori i biznesit për shkak të situatës me koronavirusin.

Ai thekson se janë të shumtë qytetarët që nuk kanë marrë asnjë lekë ndihmë për kohën e kaluar mbyllur në shtëpi, ndërsa sipas tij bizneset po përballen me vështirësi të mëdha.

Lulzim Basha thekson se qeveria ‘Rama’ i la pa ndihmë shumicën e qytetarëve dhe bizneseve, duke shtuar se “Rinisja e aktivitetit normal është shumë e vështirë për ta tashmë që veç faturave dhe taksave të larta”.

“Pjesa më e madhe e qytetarëve që takoj në Tiranë i kanë respektuar rregullat e higjienës dhe të distancimit social. Megjithatë shqetësim serioz mbetet situata ekonomike e rënduar nga pandemia e COVID-19. Janë të shumtë qytetarët që nuk kanë marrë asnjë lekë ndihmë për kohën e kaluar mbyllur në shtëpi. Edhe bizneset përballen me vështirësi të mëdha. Mungesa e ndihmës rrezikon mbylljen e shumë prej tyre ndërsa të shumtë janë dhe ata që janë detyruar të heqin të punësuar nga listëpagesat.
Qeveria Rama i la pa ndihmë shumicën e qytetarëve dhe bizneseve. Rinisja e aktivitetit normal është shumë e vështirë për ta tashmë që veç faturave dhe taksave të larta, përballen me uljen e numrit të blerësve dhe ankthin për të ardhmen e pasigurt.
Xhepat e shqiptarëve janë shkundur nga pandemia ekonomike e qeverisë Rama. Asnjë formë propagande dhe cirku qeveritar nuk e fsheh dot pasigurinë dhe varfërinë e tejskajshme që po pllakos në familjet shqiptare.”, shkruan Basha, ndërsa ka postuar dhe një foto ku shihet përballë një dyqani bosh që ka nxjerrë njoftim se jepet me qira.