Azili1
Rritja e numri të aplikimeve të shqiptareve për azil në vendet e Bashkimit Europian është befasuese. Lapsi.al ka mundur të sigurojë të dhënat e kërkesave për azil në Gjermani e Hollandë, nga viti 2006 deri në 2015. Aplikimet janë rritur në mënyrë të frikshme në dy vitet e fundit. Kryeministri Rama dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kanë bërë përgjegjës për largimet masive grupe kriminale, që sipas tyre po shfrytëzojnë një situatë të krijuar nga një keqkuptim i kërkesës së Gjermanisë për punonjës të kualifikuar.

Por shifrat zyrtare të autoriteteve gjermane dhe atyre hollandeze i përgënjeshtrojnë të dy. Largimet e shqiptarëve drejt BE për të kërkuar azil nuk janë shpërthim i momentit apo “dalldi” siç e quan ministri Tahiri, pas të cilës qëndrojnë si shkaktarë kriminelët.

Shqiptarët kanë nisur të aplikojnë masivisht për azil në Gjermani prej fundit të vitit 2013. Të dhënat sipas tabelës së mëposhtme, të siguruar nga lapsi.al, tregojnë se kërkesat për azil janë disafishuar gjatë 3 viteve të fundit. Në vitin 2013 në Gjermani kanë kërkuar azil 1 295 shqiptarë, në vitin 2014 plot 8.113 dhe në tremujorin e parë të vitit 2015 6 486 shqiptarë kanë bërë kërkesë për të fituar azil në këtë vend.
Këto të dhëna flasin për një rritje graduale të fluksit të largimit të shqiptarëve. Në Gjermani kërkesat për azil janë 8-fishuar në vitin 2014 në krahasim me vitin 2013 dhe janë dhjetëra herë më të larta se vitet e mëparshme. Trendi është përkeqësuar në janar – mars të këtij vitit dhe shumica e të larguave, siç raporton INSTAT zyrtarisht, emigrojnë për të gjetur punë. Dy raportet e fundit të INSTAT dëshmojnë për rritje të papunësisë. Analistë e politikanë po artikulojnë gjithnjë e më shumë si arsye të këtij eksodi vrasjen e shpresës së shqiptarëve si pasojë e përkeqësimit të situatës ekonomike dhe zhgënjimit nga premtimet e pambajtura të qeverisë Rama.

Policia ka kthyer mbi 2 mijë persona në kufi vetëm këtë muaj, të dyshuar si potencial për të aplikuar për azil. Por fluksi i largimeve nuk ndalet. Veë Rinasit, portit të Durrësit apo të Vlorës, Kakavijës e Kapshticës, shqiptarët po shfrytëzojnë edhe pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë e Malin e Zi për t’u larguar drejt vendeve të BE –së. Situatë kjo që ka alarmuar edhe disa vende të Bashkimit Europian dhe që e bëri Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit t’u pranonte vartësve të tij se nga ky fluks, Shqipëria rrezikon vizat. Kryeministri dhe ministri i tij i brendshëm, të vënë nën shenjestër si përgjegjës të këtij eksodi, po bëjnë përgjegjës të vetëm grupe kriminale.

Ja çfarë kanë ata për këtë çështje gjatë këtyre ditëve.

Edi Rama, Tiranë 17 prill 2015: Ky është një keqkuptim i madh, i cili shfrytëzohet nga elementë kriminalë për të manipuluar njerëzit duke marrë para dhe duke spekulluar me një situatë ku Gjermania është në kërkim të një numri emigrantësh me profesione shumë të përcaktaura, dhe nuk ka shpallur ndonjë hapje kufish apo ndpnjë politikë për të mikëpritur emigrantë që shkojnë aty për arsye ekonomike. Këtë e kemi bërë të qartë dhe do vazhdpojmë ta bëjmë të qartë, por fatkeqësisht njerëzit bien pre e këtyre elementëve kriminalë sic ndodhi edhe në Vlorë para pak kohësh.”

Saimir Tahiri, Morinë -24 prill 2015: Ne jemi shumë të angazhuar që të merremi seriozisht me këtë çështje, sepse besojmë shumë fort që skema të tilla mashtrimi apo dalldi kolektive të nxitura në mënyrë mashtruese, abuzive dhe kriminale, të mos jenë pjesë e fatit të qytetarëve shqiptarë.

Por prej dhjetorit të shkuar, ku u arrestuan 5 persona, mes tyre pronari i një agjencie turistike që siguronte udhëtime nga Vlora në Gjermani, nuk ka patur asnjë grup kriminal të goditur si përgjegjës për largimet masive. Edhe nëse pas largimeve do të qëndronin persona që përpiqen të përfitojnë duke u shitur biletat shqiptarëve që largohen, fakt është se oferta për t’u larguar është shumë e madhe. Shqiptarët që po largohen mund të bien pre e spekullantëve, por është e pamohueshme që janë ata që po kërkojnë të lënë vendin, psi varfëria është ekstreme dhe papunësia në nivelet më të larta të dekadës së fundit.

Gjeografia e largimeve ka prekur të gjithë territorin shqiptar, nga Kukësi, Korça apo Orikumi. Në zonat e thella, ku varfëia është më e madhe, banorët po largohen në grupe apo individualisht çdo ditë. Fluksi i largimeve, siç tregojnë tabelat apo grafikët e mësipërm ka arritur pikun në 2014 –ën, pasi qytetarët që prisnin premtimet e qeverisë Rama u përballën me rritje taksash, rritje çmimesh, masa shtrënguese, dënime me burg për ndërtime pa leje apo për mospagim të çmimit të energjisë.

Opozita flet për 16 mijë aplikime për azil në 3 muajt e parë të këtij viti në vendet e BE –së. Shifrat janë një alarm për qeverinë shqiptare, e cila, në vend që të ndërhyjë me politika sociale për ta zbutur eksodin, përpiqet të shkarkojë përgjegjësinë tek persona apo grupe te caktuara që thotë se po përfitojnë nga dëshpërimi i shqiptarëve.

Në këtë situatë, qeveria pret që ku fluks të ndalet vetë, siç u shpreh këtë javë kreu i mazhorancës, Ilir Meta, ndoshta kur të mos ketë mbetur më krah pune për t’u larguar nga vendi.